Bashkia Durrës dhe Autoriteti Portual Durrës do të thellojnë bashkëpunimin mes tyre për harmonizimin e politikave për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të territorit me impakt të rëndësishëm ekonomik. Kryetarja e Bashkisë, Valbona Sako priti në një takim të veçantë drejtorin e ri të Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu me të cilin bisedoi për shfrytëzimin e potencialeve që ka qyteti i Durrësit dhe Porti në veçanti, si një nyje e rëndësishme mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Një takim mjaft frytdhënës në Bashkinë e Durrësit ai me drejtorin e ri të Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu me të cilin ramë dakord për të krijuar një raport edhe më të ngushtë bashkëpunimi mes dy institucioneve tona.
E bindur se me vëmendjen e shtuar dhe rritjen e investimeve, Porti i Durrësit do të kthehet në një destinacion jo vetëm për anijet tregtare, por edhe për kroçerat, çka do jetë një nxitje ekonomike për vetë portin dhe gjithë qytetin e Durrësit. Ndamë bindjen e njëjtë me z. Vengu se Porti i Durrësit ka të gjitha potencialet për t’i shërbyer jo vetëm Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit, duke e kthyer qytetin tonë në një nyje të rëndësishme lidhjeje mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, deklaroi kryebashkiakja Sako.

Kreu i APD-së, Pirro Vengu , theksoi rëndësinë që ka implementimi i politikave të përbashkëta mes qeverisjes lokale dhe Autoritetit Portual Durrës, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të territorit. Ai shtoi se, mbështetja e APD-së në rastet e emergjencave civile në territorin e bashkisë dhe më gjerë nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.