Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku deklaroi sot se “amendimi i ligjit për ndërtimin e teatrit të ri do e bëjë procesin më të hapur e më transparent”.
Në një intervistë televizive Mazniku theksoi se Komisioni Europian i heq opozitës çdo alibi për ta kundërshtuar projektin, ndërsa sugjeron që të ftohen edhe aktorë të tjerë të interesuar në garë.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë, e cila përgëzohet nga KE që të shohim mundësinë për të dhënë opsionin nëse ekzistojnë persona të tjera në situatë të ngjashme që të garojnë me një koncept të ngjashëm. Do të kemi një amendim të ligjit. Amendimi do të përmbajë mundësinë që kompani, persona, apo institucione të tjera që kanë mundësi të konkurrojnë t’ia propozojnë këtë komisionit të shqyrtimit”, sqaroi Mazniku.
Sipas tij, Komisioni nuk do shqyrtojë vetëm projektin ekzistues, por do të propozojë dhe do shqyrtojë edhe propozime alternative.
“Parlamenti shqiptar ka caktuar që të ketë një komision përfshirë artistët brenda, dhe i gjithë ky komision do të shqyrtojë këtë ofertë apo oferta të tjera. Më pas do të marrë një vendim komisioni së pari dhe këtë vendim të komisionit do t’ia çojë prapë parlamentit për vendim”, theksoi Mazniku.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës solli edhe një paralelizëm të akuzave të hedhura nga opozita për teatrin me ato të tre viteve më parë për parkun e lojërave të Liqeni, që sot është një nga vendet më të frekuentuara nga qytetarët e Tiranës.
Mazniku nënvizoi se opozita dhe Lulzim Basha në krye të Bashkisë së Tiranës nuk realizuan asnjë projekt, dhe ky është makthi i tyre sa herë që në qytet nis një vepër e re.
“Opozita nuk pasur interes, komisioni u shpreh që nuk ka ndryshime të ligjit. Nëse opozita do të kishte ardhur në komisionin do të vinte me një propozim specifik, ju siguroj që do të ishim të gatshëm”, nënvizoi Mazniku suke shtuar se nëse opozita ka një propozim se si ligji mund të bëhet më mirë, patjetër që po.
Mazniku duke e ftuar opozitën të bashkëpunojë u shpreh se “opozita nuk do që ky qytet të zhvillohet e të bëhet me një teatër të ri. Lulzim Basha nuk i dha qytetit një teatër të ri, nuk vuri një tullë, një rrugë, por ama sa më shumë punë të bëhet në këtë qytet aq më e qartë bëhet që ai nuk ka bërë asnjë punë”.
Lidhur me pyetjen se kur nis puna për hartimin e amendamentit, Mazniku tha se ka një datë kur kuvendi do ta shqyrtojë dekretin.