Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i është përgjigjur deputetes Rudina Hajdari, e cila deklaroi pak momente më parë në Kuvend se është kërcënuar. Ruçi tha se e ka marrë shkresën e Hajdarit dhe ia ka përcjellë atë ministrisë së Brendshme.

“Zonja Hajdari e kam marrë shkresën tuaj dhe e kam adresuar. Edhe njëherë iu kam kërkuar punonjësve të shërbimit që brenda sallës së Kuvendit dhe godinës së Kryesisë së parlamentit punonjësit e shërbimit të bëjnë detyrën e tyre sipas ligjeve dhe udhëzimeve përkatëse dhe nga ana tjetër në mënyrë të posaçme ia kam përcjellë dhe duhet t’i ketë vajtur ministrisë së Brendshme që sipas statusit të deputetit të merren masat”, tha Ruçi.

Hajdari i kërkoi kryeparlamentarit të marrë masa dhe të kontrollojë çdo person apo deputet që hyn brenda sallës së parlamentit, pasi tha se nuk do që të ketë viktima. Para Rudina Hajdarit edhe kryetari i Partisë Konservatore tha se është kërcënuar për veshjen.