Nga Skënder Minxhozi/

Qindra protestues bllokojnë tashmë prej javësh një prej rrugëve kryesore që të nxjerrin nga Tirana. Banorët e 317 ndërtimeve të “Astirit”, lagjes ku kalon projekti i ri i unazës së re të Tiranës, kërkojnë kompensim tërësor për shembjet e shtëpive e bizneseve, paçka se shumica e pronave të tyre, rreth 180 ndërtime, janë të palegalizuara. Pra, të pakompensueshme financiarisht sipas ligjeve në fuqi.

Janë pikërisht ligjet që rregullojnë këtë moment fërkimi me shtetin, ato që duket se po trajtohen më pak në debatin e nxehtë politik që ka provokuar opozita, rreth projektit të Astirit. Gjithçka ngjan e lëvizshme, e negociueshme, e debatueshme, sikur të mos flitej për norma të shkruara dhe për miliarda lekë.

Ajo pjesë e banorëve të Astirit që kanë ngritur një strehë të thjeshtë për familjen e tyre vite më parë, sot ndjehen keq dhe kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga shteti. Megjithatë, ata që sot e yshtin këtë masë të dëshpëruar njerëzish, brenda të cilës ka edhe plot matrapazë e spekulantë të të gjitha ngjyrave e formave, duhet t’u shpjegojnë njerëzve të thjeshtë arsyet e mosveprimit në favor të atij komuniteti, kur e kishin pushtetin për vite me rradhë në dorën e tyre. Dhe kur, siç mund të shihet më poshtë, krijuan një kuadër ligjor që sot ja ka lidhur duart qeverisë, për të kompensuar edhe ata që nuk kanë asnjë copë letre për pronën e tyre.

Thirrja e opozitës për ta zgjidhur në bllok, e jo sipas specifikave të çdo rasti, sherrin e Astirit, është thellësisht politike. Që do të thotë se sjellja e opozitës është në themel joligjore. Sa herë politika rrëshqet në populizëm, e ky është rasti flagrant, ajo shpërfill ligje e rregulla, kode e traktate. Madje shpërfill edhe ato që dikur i ka votuar e vulosur vetë. Kështu po ndodh këto ditë opozitës së djathtë, që bën sikur e ka harruar faktin se është para së gjithash ajo vetë, që ka inicuar, formuluar e votuar kuadrin ligjor të kompensimeve për rreth 400 mijë ndërtimet pa leje në të katër anët e vendit.

Nëse i hedhim një sy ligjit të vitit 2006 që i dha jetë formimit të ALUIZNI-t, agjencisë që merret me legalizimet në shkallë vendi, do të kuptojmë pa shumë mund sesa të kujdesshëm kanë qenë demokratët për të evidentuar dhe lënë mënjanë të gjitha kategorinë e ndërtimeve pa leje që ndodheshin në trajektoren e projekteve publike. Neni 39, i cili flet për “përjashtimet nga legalizimi”, sanksionon se çdo ndërtim i tillë në këto zona nuk legalizohet.

Dhe kur vijmë në hapin e dytë të hedhur nga qeveria e dytë Berisha, nja pesë vjet më vonë, kuptojmë edhe më tepër sesa i kalkuluar ka qenë përjashtimi i ndërtimeve pa leje në zonat e ndërtimeve publike, nga i gjithë procesi i legalizimit në shkallë kombëtare. Kreu demokrat Lulzim Basha ka deklaruar dhjetra herë këto javë se kur ishin në pushtet, ai dhe kolegët e tij kanë plotësuar të gjithë kuadrin ligjor, për kompensimin tërësor financiar, edhe të ndërtimeve pa leje. Thënë ndryshe, banorët e palegalizuar të Astirit ftohen të mendojnë, pasi të kenë dëgjuar zotin Basha, se “ligjet janë, po nuk do Rama”!

E vërteta është krejt ndryshe. Basha flet këto ditë për një vendim qeverie, pikërisht VKM nr.718 e 20 tetorit 2011, e cila trajton problematikën e shpronësimit dhe kompensimit financiar për banorët e Unazës së Madhe të Tiranës. Në pikën 9 të kësaj VKM-je thuhet saktësisht se “për objektet të cilat janë në proces legalizimi, pronarët përkatës të likuidohen pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit, i regjistrimit pranë ZVRPP-së Tiranë, si dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve”. Pra, me fjalë të varfëra, qeveria Berisha 2 e ka përcjellë problemin e legalizimit për ndërtimet pa leje në trasenë e projekteve publike, tek neni 39 i ligjti për legalizimet i qeverisë Berisha 1.

Ky ping-pong juridik sot bëhet sikur nuk shihet nga ajo pjesë e politikës që bërtet në kupë të qiellit për “kompensimin pa kushte”. Pra për dëmshpërblim për cilindo që ka një shtëpi a biznes tek gjurma e projektit të Astirit. Megjithatë do të kishte qenë ku e ku më logjike, nëse dikush nga mbrojtësit e kësaj teze të harxhonte pak minuta kohë për të formuluar një projekt amendues për ngërçin ligjor të mësipërm, të krijuar nga qeveritë e djathta 13 vjet më parë.

Asnjë nga deputetët e PD-LSI nuk ka marrë mundimin të ulet për të propozuar korrigjimin e kësaj pengese, e vetmja rrugë për të shkuar tek “kompensimi pa kushte” për Astirin. S’e kanë bërë sepse e dinë se precedenti i kompensimit total të banorëve të Astirit do të shënonte një hap tejet të rrezikshëm financiarisht për të ardhmen. Nëse kjo dot ndodhte sot, nesër një qeveri tjetër shqiptare do të vuante diku tjetër nga protestat që do të kërkonin kompensim financiar total për shembjet e shtëpive a dyqaneve pa leje në punët publike, zonat arkeologjike, shtyllat e tensionit etjetj.

Banorët e palegalizuar kanë të drejtë të pretendojnë maksimumin nga qeveria e tyre. Por me ligjet dhe financat e shtetit nuk mund të luhet politikisht. Zgjidhjet duhen gjetur jo duke djegur goma, por duke u ulur me qeverinë, e cila gjithashtu duhet të kishte treguar më shumë gatishmëri për të diskutuar me qindra njerëz që protestojnë çdo natë vetëm dy kilometra nga qendra e Tiranës!/Javanews/