Home / Aktualitet / Mini-shengeni është rikthimi i Arbërisë
Mini-shengeni është rikthimi i Arbërisë
Posted on 27 Dhjetor, 2019 22:20 by TemA Online in Aktualitet, AKTUALITET BLLOKU HOMEPAGE, Blogu TemA

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on LinkedIn
Prof.As. Dr. MSc. Artan Xh. DUKA

Hapja në Ballkan është hapje mes shqiptarëve

Ideja e Mini-shengenit nuk ra nga qielli që shumëkush të bëjë të habiturin dhe të provokojë atë potere që po provokon. Kemi dekada që lypim BE dhe Mini-shengeni është një BE në miniaturë që nxit bashkëpunimin në rajon dhe që na sjell më pranë vetë BE.

Për ata që kanë merakun e rikthimit të “jugosllavisë”, mëndtë në kokë i kemi por nëse flitet për rikthim, e vetja që i ka të gjitha gjasat të rikthehet është Arbëria si streha e përbashkët e gjithë shqiptarëve në Ballkan. Serbia ka synimet e saj, ne tonat dhe Mini-shengeni për ne do të jetë mundësia për të bashkuar realisht potencialin politik, ekonomik dhe kulturor shqiptar në rajon, pa pritur datën e hyrjes në BE. Mini-shengeni është kësisoj një mundësi për të përshpejtuar dhe fituar në kohë drejt bashkimit kombëtar.

Mosbesimi reciprok në rajon është evident por ndërkohë, është tjetër gjë të debatohet rreth kohës më të përshtatshme dhe mënyrave të bashkëpunimit dhe hapjes në rajon si një etapë kalimtare drejt integrimit të mbarë rajonit në BE dhe tjetër gjë të kompleksohesh nga vetë hapja!

Vetë ideja e BE bazohet tek hapja dhe fantazma e “jugosllavisë” do na poftiset, në mos me mini-shengenin sot, me futjen në BE mot nëse Sërbia është pjesë e tij. Por sesa rikthimi i “jugosllavisë” është utopi (Sërbia në rajonin e bashkuar do të jetë inferiore ndaj kombit të bashkuar shqiptar), hapja realisht do të jetë afirmimi i Arbërisë sepse hapja në rajon është realisht hapje mes shqiptarëve që 1913 i ndau padrejtësisht dhe nëse flitet për treg të hapur në Ballkan ai është më së pari tregu i përbashkët shqiptar që i ka të gjitha shanset të dominojë më pas në rajon.

Nëse biem dakort për BE, të biem dakort për thelbin e tij në rajon

Zhbërja e kufijve është shans dhe sfidë njëkohësisht. Për çdo palë. Aq sa mund të jetë shqetësim për ne futja nga “penxherja” e “jugosllavisë” këtej, po aq, në mos më shumë, shqetëson dhe alarmon ideja e ngjizjes e kohezionit të Shqipërisë etnike tek fqinjët tanë sllavë e jugor. Mini-shengeni, frymëzuar prej BE pa kufinj, bazohet tek reciprociteti dhe ndërsa në ekonomi fituesit dhe humbësit shkojnë e vinë, në gjeopolitikë pala e vetme që ka mundësinë të fitojë është pala që vuajti pasojat e 1913.

Ideja e BE bashkon pa dallim dhe çdo shqiptar në Ballkan dhe çdo ballkanas në rajon i ka sytë tek BE. E nëse hapja është thelbi BE dhe pritshmëri krejt normale në Bruksel, mini-shengeni është test për rajonin dhe seriozitetin e dëshirës për integrim të shteteve në Ballkan. Është një domosdoshmëri dhe barrë historike që duhet të bashkojë më tej shoqërinë shqiptare dhe jo ta përçajë atë. Shumë barrë e madhe për “supet” e një kryeministri ndaj dhe imponon tryezë mbarëkombëtare e jo të përflitet që në zanafillë.

Shërbimi më i keq ndaj perspektivës europiane të rajonit është qasja bardhë e zi ndaj projektit në fjalë. Sigurisht që hapja në rajon krijon shanse dhe probleme për të gjithë por dilema nuk duhet të jetë nëse duhet të ndodhë por “si” dhe “kur” duhet të ndodhë?

Nga pikpamja ekonomike, konkurrenca mes shteteve do bëjë të vetën, qoftë me rastin e mini-shengenit, qoftë kur të jemi në BE dhe ballafaqohemi me super-ekonomitë gjermane, franceze etj atje. Nuk i vidhemi dot. Ajo që kemi në dorë të bëjmë është të dëshmojmë patriotizëm dhe të blejmë produkte e shërbime shqiptare, të integrojmë me shpejtësi tregun pan-shqiptar në Shqipëri,

Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën akoma nën Sërbi, rajonet me shqiptarë në Greqi, të ristrukturojmë ekonominë, hartojmë strategji efektive, kullandrisim më mirë pasuritë tona natyrore dhe burimet njerëzore, të bëjmë shtet dhe drejtësi etj.

“Vulë” mbarëshqiptare

“Strucin” me kokën në rërë me mure proteksioniste në rajon nuk e bëjmë dot sa kohë e kemi megjithë mënd integrimin pa “mure” në BE. Në mos sot nga “penxherja” e mini-shengenit apo mot nga “dera” e BE, Sërbinë do ta kemi përballë. Por ndërkohë vetë Serbia do të ketë përballë një treg në unifikim e sipër shqiptar që do të ndryshojë balancat në rajon dhe gradualisht do të formësojë një realitet të ri gjeopolitik që korrigjon padrejtësitë e 1913 që favorizuan Greqinë dhe botën sllave në rajon.

Qeveria, mbarë spektri opozitar politik në vënd dhe politika shqiptare në rajon, duhet të ulen në tryezën e konsultimit për të rënë dakort për termat, afatet dhe deri edhe për klauzolat për daljen nga mini-shengeni ballkanik (nëse gjërat nuk shkojnë si duhet) si për të mos kompromentuar shanset për përparimin e gjeopolitikave afatgjata pro-shqiptare në rajon ashtu dhe për të minimizuar pasojat afatshkurtëra në ekonomi, punësim, tregje etj.

Projekti nuk ka kuptim të mbetet eskluzivitet i qeverisë së Tiranës ndaj kryeministri që e filloi këtë punë. Ai duhet të ftojë me modesti dhe pa u lodhur palët në tryezën e rrumbullakët ndryshe apriori projekti rrezikon të lihet në fatin e tij teksa dikush citon parime, dikush motivohet nga lufta politike e ditës, dikush do rrëmujë që t’i vidhet drejtësisë, dikush vuan egoizmin e të mos qënurit protagonist i parë etj.

Për një projekt që duhet të na bashkojë, janë të papranueshme përflitjet apo më keq anatemimet reciproke në distancë mes nesh. Nëse na bashkon kauza e bashkimit, Mini-shengeni është një hap më tej dhe nëse vërtet duam të korrigjojmë padrejtësitë e së shkuarës nga masakrat në Çamëri, Kosovë etj, të marrim shëmbullin e denoncimit të genocidit në Mianmar në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara së fundi.

Mini-shengeni këtej duhet të jetë produkt mbarë-politik dhe mbarë-kombëtar. Sikurse pa Ballkanin, BE mbetet i paplotë, edhe pa Kosovën, rajoni mbetet i paplotë dhe deri atëhere, inisiativa të tilla rrezikojnë sirtarin. Të paktën “Jo”-ja në parim nuk duhet të vijë nga shqiptarët. Si dikur me Rambujenë, refuzimin t’ua lëmë të tjerëve.

Mini-shengeni do të hapë “mëndjet” në rajon

Kot presim sot një ndjesë historike nga politika në Sërbi apo Greqi për tragjeditë e shekullit të shkuar. Nuk duan dhe nuk i lënë sepse janë të fiksuar masivisht në mohim. E nëse hapja në rajon kushtëzohet me të, kot merremi dhe me BE se prapë po ajo Serbi do të jetë atje. Por ndërkohë, krahas ballafaqimit parimor publik të ditës me Sërbinë e Greqinë, është edhe hapja përmes mini-shengenit dhe më pas BE, ajo që do të emancipojë mbarë rajonin dhe krijojë premisa për mirëkuptim, reflektim dhe pendesë për tragjeditë e së shkuarës dhe korrigjimin e tyre.

Kur ballkanasi të ndjehet mirë dhe si në shtëpinë e tij në çdo cep të Ballkanit, atëhere dhe vetëm atëhere një klasë e re politike e përgjegjshme dhe një shoqëri e emancipuar që nuk vuan komplekset shoviniste të së shkuarës, do të reflektojë rreth së shkuarës dhe ndjesës historike të munguar dhe vonuar gjatë.

Mini-shengeni si mundësi për bashkim kombëtar edhe pa logon e BE

Hapja në rajon është një shans për të ndërtuar “shtëpinë” e madhe të shqiptarëve të mohuar nga 1913. Më shumë se kokëçarje për ne që kemi tek-tuk pak qindra apo mijra minoritarë real apo të konvertuar këtej kufirit, hapja do të jetë sfidë historike për Serbinë (dhe Greqinë kur të jemi bashkë shtete të BE) për miliona e miliona shqiptarë, të deklaruar apo pa zë publik deri tani nga intimidimi shovinist historik në rajon që jetojnë në trevat e kudondodhura shqiptare që 1913 i la matanë kufirit.

Sa kohë konceptohet si duhet, mini-shengeni mund të jetë mundësia historike për të përshpejtuar bashkimin e dëshiruar mbarëkombëtar pa pritur, ndoshta edhe dekada, për bashkimin nën logon e BE. Jemi kombi më i madh në rajon dhe e meritojmë të afirmohemi si të tillë sa më shpejt. 1913 krijoi kufinj mes shqiptarëve dhe Mini-shengeni, sikurse BE një ditë, do të zhbëjë vetëm kufij mes shqiptarësh dhe do afirmojë hapësirën e pamatë arbërore në gadishullin Ilirik.