Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Integrimit, ka raportuar hollësisht rreth progresit të Shqipërisë në rrugën evropiane.
Ministri ka sqaruar se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i 26 qershorit të vitit 2018, ka kërkuar një performancë të shtuar të Shqipërisë në tre faktorë kyç: vazhdimin e procesit të vettingut, ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë (SPAK, Byro Kombëtare e Hetimit) dhe shtimin e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Si njësi matëse për performancën e Shqipërisë ndaj tre kushteve të sipërpërmendura, Ministri ka paraqitur përgjigjen e Komisionit Evropian, i cili ka dhënë vlerësimin pozitiv për të gjitha kushtet teknike të parashtruara për Shqipërinë. Komisioni ka pranuar se këto kushte janë plotësuar dhe si rrjedhojë, Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Gjithçka, rreth konkluzioneve, sipas Ministrit, gjendet në raport-progresin e Komisionit Evropian të majit 2019.
“Komisioni, u shpreh ministri Cakaj, vlerëson specifikisht faktin që 88 gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga vettingu, fakt ky që tregon se ka pasur një bashkëpunim të konsiderueshëm me operacionin monitorues ndërkombëtar”.
Një arritje tjetër sipas tij, është ngritja e trupave të reja në drejtësi dhe për këtë, Komisioni ka vlerësuar zhvillimet e dhjetorit 2018, përkatësisht ngritjen e KLP, KLD dhe KED, gjë që ka hapur shtegun për vendosjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve brenda afateve të parapara ligjore.
“Në raport thuhet se Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për të merituar hapjen e negociatave”, tha ministri Cakaj.
Duke u ndalur në rezultatet konkrete, Ministri pohoi se Shqipëria është e gatshme të fillojë procesin e negocimit në momentin që Këshilli vendos pozitivisht për hapjen e negociatave.
Ai sqaroi se, këtë vit është thelbësore për Shqipërinë që të angazhohet me gjithë arsenalin e saj politik dhe diplomatik për të mundësuar që rekomandimet teknike të Komisionit të shndërrohen në vullnet politik të Këshillit.
“Kemi zhvilluar një gamë të gjerë të takimeve dypalëshe. Po ashtu, kemi pasur edhe një pjesëmarrje aktive në forumet multilaterale për t’i dhënë më shumë mundësi vendeve anëtare që të mësojnë në mënyrë përmbajtësore dhe të detajuar të gjitha zhvillimet në Shqipëri.
Ky aksion ka pasur si qëllim të hedhë më tepër dritë në shkallën e progresit që ka shënuar Shqipëria dhe natyrisht, të shtjellojë rëndësinë rajonale, gjeostrategjike e politike, në mundësi të një vendimmarrjeje pozitive për hapjen e negociatave në tetor të këtij viti”, theksoi ai.
Në fund të fjalës, Ministri j’u përgjigj të gjitha pyetjeve të deputetëve të interesuar.