Ali Hasani/
Në Panteonin e njerëzve të shquar të Kombit Shqiptar, patjetër që Mirash Ivanaj meriton një vend nderi si misionar, mësues e pedagog, jurist, enciklopedist, publiçist, humanist. drejtor, ministër dhe reformator i talentuar i arsimit shqip. Ai është një figurë madhore dhe shumëplanëshe e kombit shqiptar që ka bërë emër me vlerat dhe kontributin e tij njerëzor, si qytetar, si intelektual dhe si shtetar, duke spikatur gjatë gjithë jetës së shkurtër që punoi në shërbim të popullit dhe vendit të tij. Lënien në harresë, si deri tani, të një personaliteti të tillë e të madh të arsimit e shkollës sonë kombëtare si Mirash Ivanaj, nuk do të na e falte historia, sepse ai meriton mirënjohjen e gjithë Kombit dhe të brezave të arshëm.
Kush është Mirash Aivanaj
Ka lindur më 12 mars 1891 në Podgoricë në familjen e Dodë dhe Zogë Ivanaj me origjinë nga fisi i Bekajve të Trishtit të Malësisë së Madhe. Ivanajt kanë rrënjë të thella patriotike e atdhetare anti – osmane, traditë të cilën e vazhduan edhe babai, xhaxhaji dhe tërë fisi i tyre. Pas pushtimit të Trishtit nga malazezët në vitin 1878, për të përmirësuar kushtet e jetesës, familja Ivanaj zbriti nga mali në fushë dhe brenda një kohe të shkurtër ata u vendosën me punë dhe banim në qytetin e Podgoricës. Kjo ndikoi shumë në rritjen e treguesve ekonomiko – financiarë të familjes. Fëmijët e Ivanajve u rritën dhe u bënë për shkollë.
Prindërit, megjithëse të pa shkolluar, e kishin kuptuar vlerën e shkollës dhe duke njohur zgjuarsinë e fëmijëve të tyre, vendosën që Martinin dhe Mirashin t’i arsimonin. Shkollën fillore ata e mbaruan në Podgoricë me rezultate të shkëlqyera në mësime në gjuhën serbe, sepse aty nuk kishte shkollë shqipe, por paralelisht me këtë një meshtar vendas u mësoi të dy djemve edhe gjuhën shqipe të shkruar, që u ka shërbyer si një garanci më tepër për shollimin e mëtejshëm të tyre.
Kështu të dy vëllezërit Ivanaj, vazhduan më tej shkollimin e tyre në një gjimnaz afër Beogradit, të cilin e përfunduan më 25 gusht të vitit 1912 me rezultate dhe me sjellje shembullore. Që në këtë moshë tek vllezërit Ivanaj spikati edhe talenti i tyre letrar (sidomos në poezi), por edhe një nivel i lartë kulturor dhe botëkuptimor, çka për moshën e tyre ishte shumë shpejt.
Univeristeti
Mirashi me të vllanë Martinin, në vitin akademik 1912-1913 filluan studimet në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Beogradit, por për shkak të mosnjohjes së Pavarësisë të Shtetit të parë Shqiptar dhe sulmeve pushtuese të Serbisë ndaj Shqipërisë, (ndërkohë ajo ishte njohur ndërkombëtarisht) ata nuk qëndruan më në atë vend dhe për këtë arsye i ndërprenë studimet e tyre dhe u larguan nga universiteti dhe nga Beogradi.
Ndërsa në nëntor të vitit 1913 Mirash Ivanaj filloi studimet në fakultetin e letërsisë dhe të filozofisë dhe më pas edhe në jurisprudencë në Universitetin e Romës. Megjithë këtë duhet thënë se jeta studentore e Mirashit, nuk ka qenë e lehtë për të, sepse atij nuk i mjaftonte bursa, librat i kushtonin shtrejt, faktorët pengues të luftës kishin rritur sidomos shpenzimet si për ushqimin, ilaçet, veshëmbathjen, duhanin etj. Brenda një kohe të shkurtër atij i vdiqën vëllai i madh, babai, nëna dhe nuk do të kishte më ndihma nga familja e tij. Por Mirash Ivanaj nuk u dorëzua. Prandaj u detyrua që të bënte edhe punë krahu, të zhvillonte mësime private në lëndët matematikë, fizikë, gjuhët orientale, serbo-kroate dhe në gjuhën shqipe për të lehtësuar sadopak “barrën” e tij si student, sepse kishte si objektiv të përfundonte të dy fakultetet me rezultate të larta, ndaj i duhej që të merrte pjesë çdo ditë në leksione.
Mbas dhjetë vjetësh studimesh sistematike, Mirash Ivanaj u vlerësua si një ndër studentët më të mirë dhe përfundoi shkëlqyeshëm dy fakultete, letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke marrë dy diploma, por zotëronte edhe gjuhët: serbisht, shqip, italisht, frëngjisht, gjermanisht, bullgarisht, rumanisht, latinisht, greqisht, sanskritisht, gotisht dhe sllavonikisht.
Është fakt se me mbarimin e të dy falulteteve në Universitetin e Romës, autoritetet italiane të asaj kohe i propozuan Mirashit që të qëndronte me punë në Itali si asistent në njërin nga fakultetet e universitetit. Por ai nuk e pranoi një ofertë të tillë, sepse i fliste “një zë i brendshëm”, zëri i Atdheut që e thërriste që të kthehej sa më parë në Shqipëri për të punuar me përkushtim për popullin e tij të dashur.
Kthimi në Shqipëri
Mirashi pa mëdyshje në korrik 1923 u kthye në Shqipëri. Në fillim u vendos në qytetin e Shkodrës. Së bashku me xhaxhain e tij, patriotin Nikollë Ivanaj, i cili kishte blerë një shtypshkronjë, aksesorët përkatës, bojën dhe letrën tipografike, filluan punën për botimin e gazetës “Republika”. Aty Mirashi ka bërë detyrat si gazetar, korektor, radhitës deri edhe punëtor shtypshkronje. Numri i parë i kësaj gazete doli më 24 tetor 1923. Si drejtor juridik i saj, Mirash Ivanaj shkëlqeu si për nivelin intelektual të gazetës, ashtu edhe për guximin politik të shprehur në të. Që në numrin e parë në “Republika” ai shpalli programin e saj me 11 pika dhe në 30 numrat që u botuan në atë kohë, u shpalosën idetë e lirisë, të demokracisë dhe të shqiptarizmës, duke e bërë atë gazetë një tribunë të vërtetë të çështjes kombëtare dhe sidomos të arsimit dhe shkollës laike shqiptare. Është domethënës edhe një fakt tjetër se në pikën e parë të programit të saj thuhej: “Shkolla fillore dhe e mesme duhet të jenë vetëm në dorë të shtetit” çka do të thoshte shkollim të popullit shqiptar, por që shkaktoj një polemike dhe kundërshti të klerin në përgjithësi.
Drejtor gjimnazi në Shkodër
Në shkurt të vitit 1925 Mirash Ivanaj filloi punën si mësues dhe drejtues në gjimnazin e shtetit në Shkodër, ku ka qëndruar për 5 vjet në këtë detyrë, duke qenë shembulli më i mirë i mësuesit, edukatorit dhe drejtuesit, që ka pasur ai gjimnaz që nga krijimi i tij. Ai kishte një përgatitje të gjithanshme dhe ishte i aftë për t’u dhënë mësim nxënësve në të gjitha lëndët dhe klasat e gjimnazit, sepse zotëronte njohuri të thella, të sakta dhe të plota në pjesën më të madhe të tyre. Ai ishte një model i shkëlqyer dhe i kompletuar si në sjelljet e marrëdhëniet me nxënësit e kolegët, ashtu edhe në paraqitjen, e tij me veshjen me frak, jakë të bardhë, papioni, këpucë llustrafinë dhe cilindrin mbi kokë, çka në një farë mënyre, një sjellje të tillë ua kishte edukuar edhe kolegëve të tij.
Për profesor Mirashin ora e mësimit ishte një dhe e shenjtë, e paprekshme nga askush dhe, si të tillë do ta vlerësonte në radhë të parë vetë ai, por kështu do të vepronin edhe kolegët e tij që punonin në gjimnazin e Shkodrës. Dhe vertet ashtu ka ndodhur, për sa kohë aty ishte drejtor M. Ivanaj, askush nuk guxoi të ndërpriste në asnjë rast orët e mesimit, qofshin ata inspektorë të arsimit apo edhe shtetarë të lartë.
Ivanaj ka edhe një meritë tjetër sepse në strukturën e gjimnazit shtetëror në nëntor të vitit 1926 ngriti edhe një degë të pedagogjikes për përgatitjen e mësuesve të arsimit fillor, që për atë kohë ishin shumë të nevojshëm sidomos për zonat e Veriut. Për këtë qëllim ai kishte bërë hapat e nevojshëm në përzgjedhjen e kuadrit, lokalit, plan – programeve, teksteve mësimore si edhe do të drejtonte e udhëhiqte seriozisht praktikat pedagogjike. Gjithë punën mësimore dhe edukative Ivanaj e realizonte me pedagogë të zgjedhur prej tij, që me punën e tyre garantonin realizimin e detyrave, që kishin marrë përsipër, duke i bërë nxënësit tërësisht për vete. Veç të tjerash, si mësues dhe si drejtor shkolle ai ka realizuar 100 % programet mësimore në të gjithë lëndët e klasat e gjimnazit çka nuk kishte ndodhur më parë në atë gjimnaz. Ka pasur një rast të veçantë kur drejtor Mirashi, pasi u shpërndau diplomat nxënësve të një mature, ai plot finesë u është drejtuar atyreve: “Të dashtun nxanës, jo për fajin tuaj, por të dikujt tjetër, në lëndën e fizikës me ju nuk është zhvilluar kapitulli i optikës, prandaj ju propozoj që këtë boshllëk ta plotësojmë së bashku! A jeni dakort”? Po kush ja prishte drejtorit të madh, Mirash Ivanajt! Të gjithë ata maturantë për një javë rresht punuan me drejtorin dhe plotësuan programin që dikush tjetër e kshte lënë pa realizuar.
Por arritja më e madhe për gjimnazin e shtetit në Shkodër ka qenë konkurenca e ndershme me shkollat private të qytetit, dhe ky fakt është domethënës. Në mars 1925, drejtor Mirashi kur e filloi punën, në gjimnazin shtetëror të Shkodrës ka gjetur vetëm 83 nxënës, ndërsa në tetor 1930 kur ai e dorzoi detyrën, gjimnazi kishte 280 nxënës, çka nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Jahja Domnori në kujtimet e veta tregon se në rastin kur ulëm flamurin italianët nga banka e shtetit në Shkodër na arrestuan pesë nxënësve, ishte drejtori Ivanaj që na nxori nga burgu.
Padyshim që “modeli i shkollës së Ivanajt” mori dimensionet e një shkolle kombëtare duke i dhënë përparësi shkollës shqipe dhe duke mbyllur shkollat private dhe ato fetare në, mbrojtje të gjimnazit të shtetit. Për më se dy vjet, Ivanaj punoi si mësues edhe në gjimnazin e Tiranës.
Doktrinar, reformator dhe ministër Arsimi
Për të gjitha këto arsye, Mbreti Zog më 12 janar 1933, e thirri Mirash Ivanajn nga mësues gjimnazi dhe e vuri në krye të dikasterit më të rëndësishëm të asaj kohe si ministër arsimi. Kjo edhe për faktin se Zogu e njihte Mirashin si njeri me karakter të fortë malësori, besnik, njeri me kulturë të gjërë dhe një kapacitet i rrallë shkencor. Nga ana tjetër Mirashi republikan pranoi bashkëpunimin me regjimin monarkik, sepse kishte besim se do të gjentë përkrahje të plotë nga Zogu si dorë e fortë e burrështeti për zbatimin e reformës.
Në krye të atij dikasteri, ministri Ivanaj ndërmori reforma drastike në emër të një shkolle kombëtare e laike sepse ai udhëhiqej nga koncepti universal se vetëm një popull i arsimuar dhe i kulturuar mundë të ecë përpara. Kështu ai brenda një kohe të shkurtër u vlerësua si ministri më vizionar, doktrinar e reformator nga më të mirët e asaj kohe.
Mirash Ivanaj u dallua veçanërisht sepse në një kohë rekord formuloi, propozoi dhe drejtoi reformën e madhe arsimore. Së bashku me një grup intelektualësh shqiptarë ndërmori nismën dhe paraqiti në Parlamentin e Shqipërisë “Ligjin e ri për arsimin” që u miratua më 10 prill 1933, i cili do të unifikonte shkollat shqiptare. Së bashku me Beqir Sinanin ato përkthyen apo përshtatën të gjitha ligjet dhe regulloret e reja të arsimit shqiptar.
U përgatit ligji organik i arsimit, si dhe ligje e rregullore të veçanta të arsimit, me ligj u shtetëzuan të gjitha shkollat private dhe u mbyllën shkollat fetare. Shkolla shqiptare u bë laike, arsimi fillor u bë i detyrueshëm, u siguruan fonde për ndërtim shkollash të reja dhe për shtesë të përsonelit, mësuesve ju garantua pagë e rregullt duke bërë diferëncimin për ata që punonin larg familjes. U mbajtën në punë mësues me personalitet, me figurë morale dhe etike, u larguan nga puna mesuesit e pa aftë, u luftuan falsifikimet, dhënia e peshqesheve, dhe hatëret. U forcua disiplina e nxënësve dhe mësuesve në të gjitha shkollat duke ngritur kështu dinjitetin e tyre, si edhe të gjithë personelit të ministrisë.
Por ministri Ivanaj për të realizuar zbatimin e plotë të asaj reforme, kishte nënshkruar një marrëveshje me Mbretin Zog, që nëse nuk do të lejojej zbatimi nen për nen i atij ligji, ai do të jepte dorëheqjen, siç edhe i ndodhi shumë shpejt. Sigurisht aty ndikuan edhe rrethet reaksionare, klerikale, shoveniste e imperialiste pse jo edhe oportuniste, që e pritën me mosbesim, me kundërshtim dhe me qëndrim armiqësor këtë rereformë, veçanërisht Italia dhe Greqia.
Prandaj në detyrën e ministrit të Arsimit ai ka punuar vetëm 2 vjet, sepse për sa më sipër, më 30 gusht 1935 ai dha dorëëheqjen e pa revokueshme. Megjithëkëtë pastaj u emërua Kryetar i Këshillit të Shtetit, edhe këshilltar i mbretit Zog, punë të cilën e ka kryer deri me datën 6 prill 1939. Ishte koha kur Italia kishte përgatitur pushtimin e plotë të Shqipërisë.
Në këtë situatë, së bashku me Safet dhe Qemal Butkën ata mobilizuan studentët shqiptarë në protestat kundër hyrjes së Italisë fashiste në Shqipëri, duke kërkuar armë, por që edhe ajo kërkesë nuk u realizua asnjë herë.
Rruga e mërgimit
Në këto rrethana Mirash Ivanaj i zhgënjyer dhe i tradhtuar nga pushteti, dhe nga ana tjetër si anti-italian që ishte, nuk mund të pranonte pushtimin e vendit nga Italia fashiste, prandaj së bashku me shumë patriotë të tjerë antifashistë, të vllanë Martinin dhe mikun e tij më të ngushtë, arkitektin Qemal Butkën u larguan nga Shqipëria drejt Turqisë. Nga ajo kohë deri në vitin 1945 ai ka qëndruar në Turqi, përjashto vitet 1942-1943 kur ai shkoi në Liban, Egjipt, deri në Jeruzalem dhe përsëri është kthyer në Turqi. Në Turqi i vdiq edhe i vëllai, Martini, me të cilin janë shkolluar si edhe kanë banuar në një shtëpi në Tiranën e Re.
Në nëntor 1944 në Shqipëri ishte vendosur pushteti i komunistëve. Mirashi mori një letër nga ish miku i tij, Gjergj Kokoshi, i cili i ka dhënë të githa garancinë e tij dhe të shtetit shqiptar për kthimin në Atdhe. Thonë se atë e tërhoqi biblioteka e tij me rreth 16 000 libra, jo për vlerën monetare të tyre, por për vlerën shkencore dhe gjuhësore, mbasi aty kishte libra shumë të rrallë, bile unike, ka pohuar Mirashi. Bibliotekën e tij ai e quante një thesar të vyer dhe mendonte se do ta vinte në shërbim të popullit e kombit të vet. Por ajo nuk ndodhi kurrë, sepse biblioteka e tij u konfiskua e tëra nga pushteti i ri së bashku me qindra e mijra faqe në dorëshkrim, që edhe sot e kësaj dite ndodhen në bibliotekën dhe Akivën e Shtetit.
Kthimi në atdhe dhe përfundimi në ferr
Pas mbarimit të luftës, më 1 tetor 1945 Mirash Ivanaj, me naivitetin e një malsori dhe “besës shqiptarëse”, ju përgjigj kërkesës së Gjergj Kokoshit (ish ministër i arsimit), dhe u rikthye në Tiranë. Është thënë se këtë vendim ai nuk e pati peshuar mirë, sepse nuk e kuptoi se çfarë do ta priste më pas. Në fillim u vendos në ish shtëpinë e tij të blerë në Tiranën e Re me kursimet nga rroga si mësues, drejtor dhe ministër Arsimi. Fillimisht u fol sikur E. Hoxha i kishte propozuar që të vinte kandidatrën për deputet në listat e Frontit Nacionalçlirimtar, por këtë ofertë ai nuk e pranoi, sepse nuk kishte kontribuar aspak për lirinë e vendit. Kërkesa e vetme e tij ishte që të punonte si mësues, e cila iu plotësua, dhe nga nëntori 1945 deri në 19 maj 1946 ai punoi si mësues në Institutin Femëror të Tiranës, ku ka dhënë lëndën e historisë, përmes së cilës duhej zbatuar M.L. dhe mësimët e Partisë në pushtet, kurse ai përdorte metodat tradicionale që nuk i përshtateshin kërkesave të kohës. Partia kërkonte vigjilencë prandaj udhëheqësit e rinj të tërbuar dhe arrogant e muarën nëpër këmbë dhe e vunë në shenjestër atë. Megjithëse në moshën 60 vjeçare, krejt i pafajshëm dhe që nuk paraqiste asnjë rrezik, ai u arresua më 19 prill 1947, mbi të cilin shfryu egërsisht regjimi enverian përmes hetimeve dhe torturave nga më çnjerëzoret që zgjatën 270 ditë me radhë. Në përfundim, gjykata ushtarake e dënoi me akuzën, agjitacion e propagandë dhe krime të rënda kundra shtetit, agjent i anglo – amerikanëve, “sellje të mendimeve dhe fryme të huaj” në Shqipëri. U dënua me 7 vjet burg, dhe 5 vjet humbjen e të drejtave politike dhe konfiskim të pasurisë. Ishte koha e dënimit politik të gjithë elitës shqiptare të përgatitur në perëndim. Gjatë gjithë viteve të burgut, megjithëse i sëmurë, Mirashi nuk kishte asnjë njeri që ta ndihmonte, prandaj në atë kohë e ndjeu më shumë se kurrë mungesën e një familjeje. Në burg e kanë çfrytëzuar për përkthimin e librave, që i nteresonin regjimit të asaj kohe, duke punuar deri në 20 orë në ditë.
Kështu, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh e mjerimi, i harruar dhe shëndetlig ai vdiq fatalisht më 22 shtator 1953 pas një operacioni në spitalin e burgut në Tiranë për shkak të ngatrrimit të zorrëve. Vdiq vetëm 12 ditë pa e mbaruar dënimin e rëndë dhe të pa merituar. Por paradoksi më i madh ka qenë se pas vdekjes së tij, trupi i ministrit Ivanaj u përdor në atë kohë, për praktikat mësimore të studentëve të fakultetit të mjeksisë në spitalin e Tiranës. Historia tregoi se qytetërimi tek ne është ngritur edhe mbi trupin e shumë viktimave intelektuale shqiptare, njëra prej të cilave është rasti i ministrit Mirash Ivanajt, që e pagoi me një çmim shumë të madh. Dallgët e terrorit komunist dhe të hakmarrjes së diktatorit Enver Hoxha, e përlanë Mirash Ivanajn sepse kur ishte Ministër i Arsimit i kishte prerë bursën “udhëheqësit”. Për këtë arsye ai u hoq qafe, sikundër u hoqën gjithë intelektualët e tjerë me emër që ishin përgatitur në perëndim. Duhet pranuar se vdekja e Mirash Ivanajt nuk qe thjesht humbja e një njeriu, por ka qenë humbja e një vlere kombëtare. Në vlerësimin tonë ai gjithësesi i shërbeu Shqipërisë e shqiptarëve jo vetëm për së gjalli, por edhe për së vdekuri…
Prandaj duhet thënë se Mirash Ivanaj ishte dhe mbetet shembulli më i mirë i shqiptarëve, që donin të bënin punë të mëdha për Shqipërinë. Jeta dhe vepra e këtij intelektuali të pathyeshëm ka qenë dhe mbetet fund e krye patriotizëm, i vënë në shërbim të reformës së shkollës dhe kulturës kombëtare shqiptare, që mund të konsiderohet si monumenti më i madh të cilin historia e Shqipërisë duhet ta kujtojë me nderim.
Nga ky intelektual, mësues dhe drejtues shumëdimensional, duhet të mësojnë të gjithë shqiptarët, nga më i vogli deri tek më i madhi, por veçanërisht mësuesit e shtetarët.
Për gjihtë këtë kontribut të vyer që Mirash Ivanaj ka dhënë për kombin dhe vendin e vet, është ngritur në altarin e merituar si “Mësues i Popullit” më 1994 dhe “Nderi i Kombit” në vitin 1995.
Në vitin 1995 në Tiranë u themelua “Fondacioni M. M. IVANAJ” me presidente Drita Ivanajn dhe zv.president Pertef Leka. Ishte ky fondacion, që me rastin e 65 vjetorit të vdekjes së Z. Mirash Ivanajt organizoi një konferencë përkujtimore, në të cilën morën pjesë studiues, historianë dhe personalitete akademike shqiptare të cilët referuan dhe folën për figurën e madhe të Mirash Ivanajt.
Figura të tilla si Mirash Ivanaj janë të papërsëritshme në historinë e popullit shqiptar. Për kontributin e tyre të vyer ata duhen nderuar siç e meritojnë sepse u sakrifikuan për çështjen e kulturës dhe arsimit kombëtar shqiptar.