Sa i përket vëmendjes që merr nga tifozët, Liga e Kampionëve është gara më e madhe dhe më e famshme në botën e futbollit.

Prej shumë viteve, kjo garë ka mbajtur të njëjtin format, mirëpo gjërat pritet të ndryshohen në të ardhmen.

“The Times” raporton se Shoqata e Klubeve Evropiane (ECA) do ta detyrojë UEFA-n të bëjë ndryshime radikale në këtë garë, të cilat do të fillojnë të aplikohen deri në vitin 2024.

ECA dëshiron ta rinovojë formatin e kësaj gare, e cila aktualisht ka 8 grupe të ndara me nga 4 klube në fazën e parë.

Megjithatë, klubet evropiane dëshirojnë që të formohen 4 grupe me nga 8 ekipe.

Kjo do të thotë që brenda fazës së grupeve do të zhvilloheshin 14 ndeshje dhe jo 6.

Por, ky nuk është ndryshimi i vetëm. 24 ekipet të cilave kualifikohen nga këto grupet do të kualifikoheshin automatikisht për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, ndërsa klubet e tjera do të garonin për tetë vendet e mbetura.

Për më tepër, “The Times raporton se ka shumë gjasa që UEFA t’i dorëzohet kërkesës së klubeve të mëdha të Evropës dhe të lejojë që ndeshjet e Ligës së Kampionëve të zhvillohen në fundjavë.