Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Europian, priti të martën në Bruksel drejtuesit e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për një darkë pune.

Përfaqësuesja e Lartë dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor dhe zhvillimet në rajon.

Ata shprehen keqardhje për vendimin e Këshillit Europian për të mos hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe ranë dakord që integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë një objektiv kryesor strategjik, në interes të përbashkët të Bashkimit Europian dhe rajonit.

Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e Lartë dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor diskutuan atë që është bërë dhe arritur bashkërisht gjatë pesë viteve të fundit. Ata gjithashtu reflektuan pwr sfidat e përbashkëta përpara.

Partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan përsëri përkushtimin e tyre të fortë për perspektivën e BE-së, ndaj reformave që ajo sjell, para së gjithash për përfitimin e qytetarëve të tyre, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.