Vija bregdetare e qytetit të Durrësit dhe Sheshi “Taulantia”, nga një zonë e amortizuar dhe me vend depozitime të shumta mbetjesh pranë detit, po shndërrohet në një park qendror, duke ofruar më shumë hapësira publike jo vetëm për rreth 175,000 banorë të qytetit bregdetar, por edhe turistët.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot “kantierin e transformimit rrënjësor të vijës bregdetare të qytetit, në një park qendror për të gjitha moshat dhe hapësirë turistike e denjë për ambicien tonë për ta kthyer bregdetin në një pasqyrë rrezatuese të Shqipërisë që duam”.

“Rreth 1 km vijë bregdetare, përfshinë sistemimin e rreth 30 mijë m2 sheshe dhe ndërtimin e shkallareve deri në det. Projekti përfshinë dhe rreth 20 mijë m2 sipërfaqe te gjelbëruar, mbjelljen e rreth 500 pemëve dhe rreth 6500 shkurreve dekorative, fusha sportive, kënde lojërash, parkim”, tha Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, realizuese e këtij investimi.

Aktualisht janë kryer punimet për mbrojtjen detare, ku përfshihet ndërtimi i murit në zonën 2 dhe shkallareve dhe trarëve b/a në zonën 1, si dhe mbushja me gurë në det në zonën 1 dhe 2.

I gjithë sheshi qendror do të ketë në brendësi zona për evente dhe një parkim i ri në shërbim të qendrës.