Në Ministrinë e Mbrojtjes janë punësuar 6 studentë të ekselencës falë “Paktit për Universitetin”. Agjencia Telegrafike Shqiptare gjatë një vëzhgimi të zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, ka takuar 6 studentët që kanë një mundësi të artë tashmë për të nisur karrierën e tyre profesionale pranë institucioneve më të rëndësishme në vend, duke krijuar kështu një eksperiencë të vyer, me të cilën mund të konkurrojnë denjësisht në tregun e punës.
Në zbatim të vendimit të qeverisë “Për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e Administratës Shtetërore, pjesë e Shërbimit Civil për vitin 2019”, përmes aplikimit në platformën “punëtëmbarë.al”, studentë me mesatare të notës 9 deri 10, janë përzgjedhur për periudhën njëvjeçare, të punojnë pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Disa prej këtyre studentëve u shprehën për Agjencinë Telegrafike Shqiptare të impresionuar nga transparenca e modelit të aplikimit dhe përzgjedhjes në portalin “punëtëmbarë.al”, duke treguar gatishmëri e përkushtim në angazhimin e punës së nisur, ku për asnjë çast siç thanë ata, “nuk mungon mbështetja dhe profesionalizmi i stafit të Ministrisë”. “Kam përfunduar Masterin e shkencave për të drejtë penale me mesatare 9.71. Falë Paktit për Universitetin dhe përmes portalit “punëtëmbarë.al”, pashë që plotësoja kriteret e vendosura. Aplikova. Në fazën e parë rezultova e kualifikuar. Në fazën e dytë përzgjodha vendin e punës dhe tani punoj te Drejtoria e Prokurimeve dhe Ankandeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Kam gjetur një staf të kualifikuar dhe mikpritës“, u shpreh Doloreza Maksutaj.
“Jam diplomuar në vitin 2017, master psikologji organizative me mesatare 10. Aplikova te portali “punë të mbarë.al”. Kam përzgjedhur të punojë te sektori i zhvillimit e kualifikimit të personelit në Ministrinë e Mbrojtjes. Këtë nisëm e gjykojë si një mundësi mjaft e mirë për t’u punësuar në Administratën Publike dhe uroj të jetë një ogur i mirë në karrierën time. Këtu kam gjetur një mjedis mjaft miqësorë dhe më kanë mbështetur për t’u përshtatur me mjedisin”, tha Erleta Demushi.
“Përfundova vitin e shkuar Masterin për shkenca humane. Jam diplomuar si ekselente. Jam mirënjohëse që u ndërmor kjo nisëm që shpreh vlerësim për punën tonë të palodhur gjatë viteve të studimit. Unë për të qenë e sinqertë kam qenë skeptike. Ditën kur u lajmërova se kisha fituar, nuk e besova, por kur u paraqita te Departamenti Administratës Publike kuptova se gjithçka ishte transparente dhe e bazuar te meritokracia. Sot jam te Ministria e Mbrojtjes dhe jam në pozicionin e Specialistes në Seksionin e Transferimit të Materialeve të Tepërta. E shoh si një mundësi të mirë për karrierën time në vijimësi”, tha Albora Blloshmi.
“Jam Mario Xhaja kam studiuar për inxhinieri elektronike. U informova në media për mundësinë për të aplikuar në platform, aplikova dhe u shpalla fitues për të nisur punë te Ministria e Mbrojtjes, te Seksioni i Automatizimit dhe Inovacionit dhe besoj se kjo do të jetë një eksperiencë shumë e mirë dhe e vlefshme punë sa i takon karrierës sime profesionale”, tha Xhaja
“Jam Migena Kërçiku. Kam përfunduar ciklin e dytë Master Shkencor pranë Fakultetit të Drejtësisë. Aplikova te portali “Punëtëmbarë.al” dhe përzgjodha Drejtorinë e Inspektimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Jam e lumtur për këtë përzgjedhje. Mikpritja ishte fantastike dhe e shoh si një mundësi të mirë për karrierën time”, tha Kërçiku.
“Kam përfunduar studimet e nivelit Master Shkencor për politika rajonale. Në kuadër të programit “Erasmus Plus” kam kryer një shkëmbim studentorë prej një viti në Rumani. Prej një muaji punojë si Specialist Ceremoniali pranë Drejtorisë së Politikave të NATO-s dhe BE, në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk mund ta mohoj faktin se në fazën e parë, pas aplikimit në portal, kisha rezervat e mija për procesin. Por nisur nga eksperienca personale mund të them se ka qenë një proces transparent dhe na u dha mundësi sipas fushës së studimit që të nisim punë në pozicionin më të përshtatshëm. Kjo është një mundësi e artë për të prekur nga afër punën dhe të punosh pranë profesionistëve. Është një proces që po shemb barrierat e ne të rinjve, që Administrata Publike nuk është më e paprekshme nga familjet e thjeshta, por që i jepet mundësia ekselentëve për ta provuar këtë mundësi. Kam gjetur ambient miqësorë e profesional ”, tha Rada.