Në kuadër të Paktit për Universitetin, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me rektorin e Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi dhe drejtoren e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela.

Implementimi i dokumentit “Pakti për Universitetin” u nënshkrua në ambientet e rikonstruktuara të TKOBAP në praninë e Ministres së Kulturës, Elva Margariti, Drejtores së Përgjithshme të TKOBAP, Zana Çela dhe Rektorit të Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi.Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, theksoi rëndësinë e zbatimit të tij. Për dy drejtuesit, Çela dhe Çaushi, bashkëpunimi mes dy institucioneve ka ekzistuar gjithnjë, por me “Paktin e Universitetit” lidhja mes TKOBAP dhe UA bëhet edhe më e thellë.

“Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka qenë gjithnjë promovues i talenteve të rinj, por sot ky bashkëpunim ngrihet mbi baza institucionale. Në kuadër të Paktit për Universitetin, nënshkruam marrëveshjen me rektorin e Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi dhe drejtoren e TKOBAP, Zana Çela”, shprehet ministrja Margariti.

Ky dokument tha Çela na angazhon që ta bëjmë pjesë të kalendareve artistikë bashkëpunimin tonë.

Nga 9 pikat që përkufizohen si detyrime ndaj marrëveshjes së bashkëpunimit, Çela theksoi si tejet të rëndësishme, kryerjen e praktikave mësimore (inter-ship) të studentëve në sektorët përkatës të TKOBAP, përfshirjen e studentëve me projekte konkrete në konkursin që do të organizohet nga TKOBAP, “Youth Theatre”, që i paraprin krijimit për here të parë të “Akademisë së Operas” nga mosha 17 deri 25 vjeç.

Gjithashtu pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është përfshirja e studentevë më të mirë (nga të gjitha degët) në projekte të ndyshme artistike të “Teatrit të Operas dhe Baletit” dhe TKOBAP do të vazhdojë të njoftojë UA për çdo audicion që zhvillohet, të mirëpres studentët në prova gjenerale dhe t’u ofrojë atyre, të pajisur me “Kartën e Studentit”, bileta me çmime të reduktuara.