Zëdhënësja e Qeverisë dhe ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë bashkëbisedimit me studentë dhe pedagogë për Paktin për Universitetin theksoi se protestat e studentëve kanë reflektuar probleme të cilat kanë gjetur zgjidhje nga ana e qeverisë shqiptare.

“Disa procese natyrale, kërkesa të kohës, gjëra të cilat dolën më së miri në protestën e studentëve, e cila nuk ishte e drejtuar vetëm ndaj nesh, por edhe për të transformuar jetën shoqërore në tërësi, për të luftuar me disa nga sëmundjet, si nepotizmin, militantizmi etj., në administratë. Protesta e tyre ishte një mesazh shumë i fortë, ku rinia e kësaj kohe ka mundur të ngrihet mbi nivelin shoqëror dhe protesta e tregoi këtë shumë qartë. E gjithë fryma e asaj proteste ishte xhenuine dhe buronte nga fakti se ata kanë lexuar më shumë dhe kanë kërkuar një vend në shoqëri, e cila shpesh herë u është mohuar. Këtë thirrje ne e dëgjuam dhe e bëmë pjesë të politikës tonë, pjesë të përpjekjes sonë të përgjithshme për të bërë politika më të mira”, – u shpreh Spiropali.

Ministrja Spiropali garantoi se në universitetet shqiptare do të bëhet transparenca e plotë e financimeve duke shtuar se arsimimi nuk është një privilegj, por një e drejtë, e cila sipas saj nuk duhet të privohet.

“Transparenca në Universitet duhet të ishte e padiskutuar dhe ne do ta bëjmë transparencën e plotë të financimeve, por në vazhdim duhet që ta kryejë Universiteti. Ligji për Arsimin e Lartë dhe liria akademike vjen nëpërmjet një lirie që duhet përgjigjur. Tarifat e studentëve është një çështje ekonomike dhe e drejtësisë shoqërore. Për ne arsimimi nuk është një privilegj, por një e drejtë e cila nuk duhet të privohet. Ka shumë çështje të tjera që mund të diskutohen nga pakti, ato nuk janë të nënshkruara në gurë, por ky është një fillim”, – theksoi Spiropali.

Gjatë protestët e cila filloi në muajin dhjetor, studentët paraqitën një sërë kërkesash, të cilat janë duke u zgjidhur nga ana e Qeverisë shqiptare.