Realizimi i kartës së studentit është një nga komponentët e paktit për universitetin që vjen përpara afateve të parashikuara nga Ministria e Arsimit. Kështu ka deklaruar në studion e ERTV-së, Zëvendësministri për Arsimin e Lartë, Redi Shtino, sipas të cilit, shërbimet që studentëve do u jepen me çmim të reduktuar apo falas, po shtohen dita ditës.
Shtino bëri edhe një vlerësim të ecurisë së plotësimit të kërkesave studentore në kuadër të paktit për universitetin duke theksuar se tashmë ka një bilanc konkret që provon se qeveria, i është përmbajtur zotimeve të dhëna para studentëve.
“Është mbyllur paketa e financmit të tarifave të studentëve. Janë identifikuar dhe kanë përfituar nga ulja e tarifave me 50 %, të gjithë studentët në rang kombëtar. Është mundësuar disbursimi i bursave për 90.55 % të studentëve që e gëzojnë këtë të drejtë. Ngritëm portalin e transparencës për llogaridhënien në institucionet e arsimit të lartë, përtej një portali statik që vetëm komunikon të dhëna. Sot bilanci është konkret, nuk flasim më mbi hipoteza në diskursin publik, por kemi shifrat, të dhënat dhe statistikat”, tha Shtino.