Partia AKP, e cila udhëhiqet nga presidenti turk, ka kërkuar nga Bordi i Zgjedhjeve të anulojë rezultatin për qytetin e Stambollit, pak pasi partia opozitare shpalli fitoren para pak ditësh.
Sipas agjencisë së lajmeve “Haberturk”, partia e presidentit Erdogan pretendon se rezultatet duhet të anulohen për shkak të pranisë së votuesve ilegalë në listat e personave me të drejtë vote, gjë që, sipas tyre, ka ndikuar në rezultatin e përgjithshëm.
Kjo agjenci ka njoftuar se dega e partisë AKP në lagjen Buyukcekmece të Stambollit ka dorëzuar ankesë në zyrën rajonale të zgjedhjeve dhe ka kërkuar që të anulohet rezultati i zgjedhjeve. Sidoqoftë, kjo kërkesë është hedhur poshtë nga bordi rajonal i zgjedhjeve.
Kërkesa për anulim të rezultatit në Stamboll erdhi pasi kandidati i partisë kryesore opozitare kishte deklaruar se i ka fituar 18,742 vota më shumë se rivali i tij nga partia e Erdoganit.
Në orët e vona të ditës së enjte, zyrtarët e zgjedhjeve vendosën ta rrisin numrin e lagjeve të Stambollit ku do të bëhet rinumërimi i votave, por ende mbetet e paqartë se në cilat lagje do të zhvillohet ky proces.