Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Romina Kuko tha për ATSH se qeveria është e angazhuar plotësisht për rindërtimit dhe rimëkëmbjes së komuniteteve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kuko tha se “Këshilli i Qarkut Tiranë ka patur një rol të rëndësishëm për sa i përket kryerjes së vlerësimeve të dëmeve dhe ka qenë pikërisht, merita e Qarkut Tiranë që qindra familje kanë marrë dëmshpërblimin e tyre nga tërmeti i 21 shtatorit dhe patjetër dhe vlerësimet nga tërmeti i 26 nëntorit”.

“Lidhur me tërmetin, qeveria shqiptarë është e angazhuar në tërësi përsa i përket rindërtimit, por dhe rimëkëmbjen e komuniteteve të afektuar nga tërmeti në tre prefekturat kryesorë atë të Tiranës, Durrësit dhe Lezhës dhe bashkive respektive. Aktualisht ne kemi një Ministër të Posaçëm për Rindërtim, çfarë do të thotë një vullnet shumë të madh të qeverisë për t’u fokusuar te pjesa e rimëkëmbjes dhe për ta kryer atë në një kohë sa më të shpejtë”, tha Kuko për ATSH.

Për sa i përket tërmetit të 26 nëntorit Kuko tha për ATSH se “janë duke u kryer disa vlerësime të specializuara me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë siç është Banka Botërore, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në Shqipëri”.

Zv.ministrja Kuko theksoi për ATSH se “ky vlerësim quhet një vlerësim nevojash pas katastrofës. Ky vlerësim do të shërbejë për Konferencën e Donatorëve ku do të përcaktohet në mënyrë të qartë mbi ndihmat që Shqipëria do të ketë nevojë të marrë si ato financiare si ato teknike për pjesën e rindërtimit”.

Po ashtu Kuko shtoi se “niveli vendor ka rolin e vet kryesor duke patur parasysh që Njësitë Administrative janë ato që kanë përgjegjësitë ligjore për të kryer vlerësimin dhe më pas për t’u kujdesur për familjet në mënyrë që të marrin dëmshpërblimin e tyre. Njësitë Administrative kanë një mbështetje të madhe nga bashkitë, nga Këshilli i Qarkut duke ju ofruar ndihmesë nga Ministria e Brendshme si ministria që koordinon pushtetin vendor, por në tërësi edhe nga qeveria shqiptare e cila është duke e menaxhuar këtë moment me përparësi absolute”.

Kuko tha se detyrimet dhe obligimet që burojnë nga pjesa e pushtetit vendorë janë kryer përsa i përket tërmetit të 21 shtatorit.