Reagimi i fortë i opinionit detyron ish Kryetarin e LSI-së, që të ndryshojë qëndrim dhe të heqë dorë nga gjuha e fyerjeve
Petrit Vasili rikthehet të flasë, këtë herë me një gjuhë normale, në lidhje me alarmet e epidemive të Virusit të Etheve të Nilit Perëndimor dhe Fruthit.
Vetëm pak ditë më parë, Vasili sulmoi me fyerje të ulëta dhe të padenja për këdo, aq më pak një politikan, ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pasi kjo e fundit kishte ofruar qëndrimin profesional zyrtar të institucionit që drejton, në lidhje me dy epidemitë.
Ndoshta i shtyrë edhe prej një reagimi të fortë nga ana e opinionit, përballë gjuhës së mbushur me mllef dhe fyerje, sot, në një reagim të publikuar në profilin e tij në Facebook, Petrit Vasili përshëndet veprimet e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe “kujtohet” se është profesionist.
“Me ne fund Ministria reagoi dhe ka publikuar keshillat e domosdoshme per opinionin, ndonese me shume vonese gjithsesi eshte i mirepritur reagimi i saj. Si profesionist une do te vazhdoj te jap mendimet e mija bazuar ne kritere profesionale, pasi kur behet fjala per epidemi dhe emergjenca shendetesore fjalen e ka profesioni dhe jo politika”, thotë Vasili në reagimin e tij.
Eshtë një kthesë e fortë dhe një “mea culpa” e politikanit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe pse është pakëz e vështirë të besohet një metamorfozë kaq e shpejtë e ish-kreut të LSI, që deri para dy ditësh përdorte fjalë të ulëta në drejtim të Ministres, në një shpërthim në rrjetin e tij social, ku nuk të binte në sy asnjë gjurmë profesionalizmi. /Lexo.al