SEANCE PARLAMENTARE - Kryeministri Sali Berisha, zevendesi i tij Ilir Meta dhe ministri i Brendshem, gjate nje seance parlamentare, ku u miratuan pa pranine e opozites dy ministrat e rinj te qeverise, Edmond Haxhinasto si minister i Jashtem dhe Ilri Meta Minister i Ekonomise.

Nga Alfred Peza

Kryetari i PD Lulzim Basha, ndërkohë që në Parlament po zhvillohej mocioni me debat kundër dekretit të Ilir Metës për shfuqizimin e 30 qershorit, tha se Shqipëria po shkon drejt një “grushti shteti”. Ky akt,- sipas tij,- po kryhet nga Edi Rama në bashkëpunim me narko- shtetin dhe mafian. Nëse ky togfjalësh do ishte përdorur për herë të parë, ndoshta nuk ia vlente që të ndaleshe. Por, meqë ai po përdoret gjithnjë e më shpesh nga opozitarët dhe propaganda e tyre, derisa u artikulua me gojën plot nga Lulzim Basha, atëherë duhet sqaruar.

Shqipëria pas 1990, ka njohur vetëm një tentativë për “grusht shteti”, deri më sot. E ajo lidhet me ngjarjet e 14 shtatorit 1998, ditën e varrimit të liderit të dhjetorit ’90 Azem Hajdari i vrarë dy ditë përpara, më 12 shtator në oborrin e selisë së PD në Tiranë. Opozitarët e djeshëm që për koinçidencë janë edhe të sotmit, sulmuan me armë zjarri godinën e Kryeministrisë, rrëmbyen tanket e Gardës së Republikës dhe pushtuna Televizionin Publik (RTSH). Një nga kryetarët e partive aleate të PD, deklaroi live se qeveria socialiste e Fatos Nanos kishte rënë dhe se tashmë vendi do të qeverisej prej tyre.

Dihet sesi rrodhën ngjarjet më tej: Pas një telefonate nga përtej oqeanit, pas disa orësh të gjithë u zbythën dhe disa prej protagonistëve, u gjykuan për të qenë sërisht të lirë pas disa kohësh. Ndërsa urdhëruesit dhe ideatorëve politikë të “grushtit të shtetit” nuk u hyri gjemb në këmbë. Derisa u rikthyen sërisht në pushtet pas 7 vjetësh nga kjo ngjarje, në vitin 2005. A është vërtetë Shqipëria sot përpara një “grushti të ri shteti”? Apo ajo që po ndodh është thjeshtë një dëshirë, në kushtet e reja, për të krijuar psikozën e situatave që çuan tek zhvillimet e 14 shtatorit?

Për tiu përgjigjur kësaj pyetje, le të sjellim përkufizimin e togfjalëshit “Grusht shteti” dhe ta analizojmë atë, në terrenin konkret. Sipas “Fjalorit Politik” të “Oxford”-it, “grusht shteti” (coup d’etat) do të thotë: “Rrëzimi i menjëhershëm, i dhunshëm dhe i paligjshëm i qeverisë, zakonisht nga ushtria ose një pjesë e saj, shpesh i paraprirë nga trazirat të përhapura e të zgjatura dhe i precipituar nga ankesa që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me ushtrinë”.

E para, siç shihet qëllimi Nr. 1 i “grushtit të shtetit” është: “Rrëzimi i menjëhershëm, i dhunshëm dhe i paligjshëm i qeverisë”. Nëse do i besojmë Lulzim Bashës atëherë pyetja që shtrohet është: Kush po kërkon që ta rrëzojë qeverinë: Edi Rama që është në krye të saj? Apo ata që kanë 4 muaj që kanë dalë nga sistemi politik i vendit dhe nuk hyjnë në zgjedhje, sepse kanë vetëm një kauz: “Ose të iki Edi Rama, ose do të shkrihet opozita”?! Pra kush po kërkon që ta rrëzojë qeverinë, Kryeministri i saj apo e gjithë lukunia opozitare që është kundër tij?!

E dyta, “grushti i shtetit” u realizoka zakonisht ose nga ushtria ose nga një pjesë e saj. Pyetja është: Kush po e bën “grushtin e shtetit”: Olta Xhaçka? NATO? Apo Ilir Meta, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë?

E treta, “grushtit të shtetit” i paraprikan “trazirat e përhapura e të zgjatura”. Për aq kohë sa protetat dhe trazirat e dhunshme në to nuk po i bën Edi Rama, a mos është ky qëllimi i molotovëve, kapsollave, i arsenalit të mjeteve piroteknike dhe i gjithçkaje tjetër që po përdoret mbi institucionet kushtetuese të vendit, nga ana e opozitës?!

E katërta, po sipas përkufizimit të “Oxford”-it, “qëllimi i grushtit të shtetit, është zgjidhja e problemeve të veçanta dhe rezultati rrallëherë ka të bëjë me ndryshime të thella në rendin shoqëror”. A ju thotë gjë fakti se qëllimi i veçantë në këtë rast është zhbërja e reformës në drejtësi, përshembull? Dhe jo ajo që thotë lidershipi i opozitës: “Për ndryshimet e thella në standardet e zgjedhjeve”. Sepse dihet tashmë që opozita e bojkotoi sistematikisht, komisionin parlamentar të reformës elektorale?

E fundit, “grushti i shtetit” po teorikisht, “shihet si një mjet i efektshëm për të parandaluar ndryshimet “nga poshtë”, duke imponuar “reformat” nga lart”. Në Shqipërinë aktuale, kjo mund të përkthehet po me shembullin e kryehallit të opozitës: Reformën e re të drejtësisë. E cila ka nisur me mbështetjen e SHBA dhe BE dhe tani po vijon si një ndryshim “nga poshtë”. Gjë që është përkrahur dhe mbështetet fuqimisht nga mazhoranca e Edi Ramës. Ndërsa ata që po kërkojnë “qeveri tranzitore” e kanë shprehur hapur, se nëpërmjet saj kërkojnë imponimin “nga lart” të “zhbërjes së reformës në drejtësi”.

Pas kësaj, gjithkush është i lirë të besojë nëse “grushtin e shtetit” në Shqipëri po kërkon që ta bëjë Edi Rama për të rrëzuar veten e vet? Apo Lulzim Basha, me gjithë shejtanbudallenjtë e tjerë?!