Nga Alfred Peza

Në pamundësi për ta bllokuar 30 Qershorin, si datën e zgjedhjeve të përgjithshme lokale në Shqipëri, përfaqësuesit e opozitës së rrugës dhe propaganda e saj, kanë ndryshuar totalisht qasje dhe po rreken ta cilësojnë procesin, si një votim monist.

Si votime të një partie të vetme politike e për rrjedhojë edhe asgjesuese për opozitën. Diktatoriale dhe asfiksuese për pluralizmin. Madje për këtë, mundohen që të thërrasin në ndihmë, edhe historinë e Shqipërisë komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore, kur në vend u instalua diktatura e Enver Hoxhës.

Ata që dolën vetë e me koshiencë nga gara e sotme pluraliste, madje me dëshirë, me këngë, me valle dhe me triumfalizmin e atyre që u shfaqën sikur të kishin zbuluar “amerikën” e sistemit demokratik, sot nuk mund të sillen sikur për këtë i detyroi Edi Rama e PS. E aq më pak edhe SHBA, BE, NATO, OSBE/ODIHR, e pjesa tjetër e botës demokratike.

Politika është akt, xhest dhe përgjegjësi.

Në këtë lojë do të shfaqesh përpara kamerave dhe elektoratit tënd ose krenar, ose i dh**r. Ti nuk mund të jesh sot edhe i dh**r, edhe krenar.

Në këtë lojë ti nuk mund ta shohësh stadiumin nga maja e një peme, ndërkohë që sharron degën ku je duke qëndruar dhe më pas të ankohesh se përse në vend që të luaje në fushë, u rrëzove dhe re përtokë!

Në vitin 1945 e deri më 1990 në Shqipërinë e diktaturës moniste, pluralizmi u ndalua dhe u asgjesua me ligj. Me Kushtetutë. Të gjithë kundërshtarët politikë të partisë-shtet u arrestuan, u burgosën, u pushkatuan dhe u interrnuan. Ky ishte fundi i dhimbshëm i pluralistëve tanë të monizmit.

Ndërsa në këtë Shqipërinë e monistëve tanë të pluralizmit, kundërshtarët e qeverisë legjitime të dalë nga zgjedhjet e çertifikuara e të pranuara nga ata vetë, dolën vullnetarisht nga sistemi politik dhe demokratik i vendit, me të vetmin qëllim: Ose të iki Edi Rama, ose të shkrihet opozita.

Besoj se e mbani mend që nuk ishte Edi Rama që u ndaloi të futeshin në Parlament, por Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi që i dogjën mandatet e deputetëve të tyre gjithë gëzim e hare.

Besoj se e mbani mend që nuk ishin ndërkombëtarët që u thanë monistëve tanë të pluralizmit, për të dalë nga institucionet kushtetuese të vendit, por ishin Ilir Meta e Sali Berisha që u frynin në vesh se vetëm kështu mund ta mundnin Edi Ramën dhe jo me votë në 30 Qershor.

Besoj se e mbani mend se nuk ishte Partia Socialiste dhe qeveria e saj që e nxiti opozitën tonë që të firmoste paktin për të mos u futur në zgjedhje, por katërshja e lidershipit të saj që mendonin se vetëm kështu mund tia rrëmbenin pushtetin Edi Ramës në tavolinë.

Lideri “de facto” i opozitës është sot akoma President Republike. Ishte ai që fimosi dekretin për ti mohuar popullit të vet të drejtën kushtetuese për tu “qeverisur mbi bazën e një sistemi zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Duke asgjesuar me vetëdije thelbin e pluralizmit, Ilir Meta donte që të na impononte, filozofinë e monizmit në pluralizëm.

Pas kësaj, gjithkush e ka më të qartë që të dallojë heroiken dhe tragjiken e pluralistëve tanë të monizmit dhe qesharaken e tragjikomoiken e monistëve tanë të pluralizmit. Mund ti dalloni fare lehtë sot, se nga 1 korriku e tutje, do vrapojnë që të bëhen më të zellshëm se ne të tjerët për 30 Qershorin.

Janë të gjithë ata që nuk e lenë kurrë të vdesë thënien vjetër të hajdutit që thërret kapeni hajdutin. Ndaj, sot akuzojnë PS dhe qeverinë e Edi Ramës, se po instalon pluralizmin monist. Pa e ditur as vetë tashmë, se e kanë futur veten në histori, si monistët e pluralizmit.