Nga Alfred Peza

Në një dalje publike, i pyetur nga gazetarët në lidhje me votimin e djeshëm të Parlamentit kundër tij pas mocionit me debat për çdekretimin e 30 Qershorit, Ilir Meta tha:
“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, natyrisht jo nga ky; por nga një Parlament tërësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon qytetarëve”,

Po çfarë thotë Kushtetuta e Shqipërisë?

E para, thotë se Shqipëria është një Republikë Parlamentare.

E dyta, sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.

E treta, populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqsuesve të tij (në Parlament) ose drejtpëdrejtë.
E katërta, Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.

Ku gaboi Ilir Meta? Vuri në dyshim legjitimitetin e këtij Parlamenti. Ai ka dalë nga zgjedhjet e 2017, të njohura e pranuara nga të gjitha palët politike, përfshi LSI e tij! Ato janë të çertifikuara nga KQZ dhe OSBE/ ODIHR.

Metthew Palmer, zv. ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit ka deklaruar se “Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave. Instutucionet e qeverise janë funksionale, janë legjitime.”

Nëse Ralf Gjonin psh dhe tjerët e LSI që sot janë në Parlament pasi Kryemadhi dogji mandatet, Meta i quan jo legjitim, kjo nuk është punë e qytetarëve por e Presidentit. Sepse ai vetë i bëri listat e këtyre deputetëve.

Në këto kushte, duke qenë se “Kushtetuta është ligji më i lartë”, Meta vazhdon ta thellojë gabimin që nisi duke shkelur Kushtetutën kur çdekretoi datën e zgjedhjeve.

Por, edhe kur nuk dekretoi bashkë me të, datën e zgjedhjeve të reja, të cilën e ka detyrë. Ndërsa tani, injoron edhe Parlamentin në Republikën nga ku burojnë të gjitha pushtetet në Shqipëri, përfshi edhe atë të Presidentit.

Vërtetë Republika është e qytetarëve,- siç thotë Meta, por me rregulla dhe jo me demagogji. Me Kushtetutë. Si ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.