“Plotësimi i Europës me Ballkanin Perëndimor është detyrë dhe jo nder apo favor”, deklaroi sot Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu.

Bregu tha se, e filloi këtë mandat një vit më parë pa optimizëm të tepruar, por me besim dhe gati për t’iu bërë ballë vështirësive, duke e ditur që ky do të ishte një mision jo i lehtë mes rrymave të rrëmbyeshme ekonomike, sociale dhe politike, besimplotë gjithashtu që interesi ynë i përbashkët qëndron përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë.

Ajo shprehu kënaqësinë që gjatë vitit që po lëmë pas, bashkëpunimi rajonal funksionoi, edhe pse nën stres.

“Arritëm që të gjashta ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të nënshkruanin një marrëveshje të re për “roaming”, ”Fol si n’shpi” duke ulur çmimet e deri në 90% e duke hapur rrugën për një Ballkan me Zero tarifë roaming në 2021”, tha Bregu.

Në qendër të vëmendjes, sipas saj, “vendosëm potencialin e mrekullueshëm që kanë gratë e rajonit”. “Sa shumë dashuri e kujdes tregojnë ato për të kapërcyer hallet e vështirësitë! Janë historitë e tyre që na bëjnë të gjithave jo vetëm më të forta, por edhe kokëforta që të vazhdojmë me projekte konkrete për fuqizimin ekonomik të tyre në të gjithë rajonin.
Mos u habisni, por rikthimi i grave në tregun e punës dhe fuqizimi ekonomik i tyre janë çelësi për zhbllokimin e potencialit ekonomik të rajonit”, tha Bregu.

Vitin që vjen, ajo tha se “RCC dhe UNDP do të nisë projektin për të nxituar gratë e vajzat e reja të studiojnë e punojnë më shumë në teknologji, shkenca ekzakte inxhinjeri e informatikë psh”.

Bregu u shpreh e sigurt që rrezja e dritës që do të depërtojë hijet e reve e që do ta pajtojë rajonin, është rinia.

“2020-n do ta nisim me një qasje rajonale për të mbështetur idetë inovative e kreative të të rinjve, -start up. Lidhja e fuqizimi i të rinjve përmes modeleve të bzinesit që koha imponon sot, do të sfidojë normat e ndasitë, duke sjellë shpresoj një model të ri, konkurrues, të mençur, mbi zhvillimin e kapaciteteve dhe promovimin e aftësive të të rinjve. Bashkë me World Economic Forum në një bashkëpunim superambicioz, për herë të parë do të ngremë Acceleratorin për biznesin e konkurrueshmërinë në Ballkan”, tha ajo.

Bregu shtoi se “të gjithë jemi të shqetësuar për kërcënimet hibride të sigurisë që i kanosen Ballkanit Perëndimor: që nga terrorizmi e deri tek siguria kibernetike dhe keqinformimi”. Ajo tha se “vitin e ardhshëm, platforma më ambicioze e sigurisë në Europën Juglindore, IISG, i bashkohet RCC”. “Idea që ata që i vënë pritë shpresës ,do të kenë më pak mundësi se ç’mendojnë, që të prodhojnë e mbajnë gjallë narrativën e konfliktit e pasigurisë që na kthen pas në kohë, na motivon edhe më shumë”, shtoi ajo.

“Nuk do të hamendësoj se ç’do të ndodhë me çeljen e negociatave të anetarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me liberalizimin e vizave me Kosovën, etj. Shpresoj që në marrjen e këtyre vendimeve të mbizotërojë kthjelltësia. Plotësimi i Europës me Ballkanin Perëndimor është detyrë dhe jo nder apo favor”, tha Bregu.

Rrugëtimi ynë në 2020-n, vijoi ajo, do të na sjellë shumëllojshmëri detyrash: fuqizimin e zonës rajonale ekonomike, (REA), marrëveshja për Green Deal, siguria, kapitali njerëzor, çështjet e Romëve, promovimi i turizmit, start-up-et, fuqizimi i grave dhe i vajzave etj.

“Të gjitha këto me besimin se do ia dalim të komunikojmë qartë vlerën e ndërsjellë të të qenit bashkë. Edhe një gjë tjetër! Vjet lutesha që të gjeja një ekip në RCC, të gatshëm të vazhdonte ta përqafonte ndryshimin. Sot them e sigurt, jam me shumë fat që e kam një të tillë! Familjes tonë të madhe të RCC, kolegëve tanë europianë, 46 vendeve anëtare të RCC, partnerëve ndërkombëtarë, të gjithëve ju uroj: një Vit të Ri të mbarë e tejet të suksesshëm”, tha ajo.