“Puka është një qytet i vogël që është prekur në të gjitha poret e veta dhe transformimi këtu është spektakolar”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke u ndalur te investimet që janë kryer në Pukë.
Në vijim të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri u ndal sot në Pukë ku deklaroi se “kushdo që do të shohë ndryshimin, ai është mjaft i dukshëm në Pukë”.
“Patjetër që problemet, hallet dhe shqetësimet e familjeve këtu në këtë zonë, ashtu si në gjithë Shqipërinë nuk kanë të mbaruar dhe secili nga ju ka probleme dhe halle, por ndryshimi në Pukë është mjaft i qartë”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se kjo është një zonë e mahnitshme për nga bukuritë natyrore dhe nëse e shohim Pukën me sytë e së sotmes, sigurisht që kjo që kemi nuk është ajo që duam, por nëse e shohim me sytë e së djeshmes nuk ka krahasim me atë që kishim”.
“Ishte ferr. Mjafton të kthesh kokën majtas, aty ku sot është një atraksion i mirëfilltë për këdo dhe që dje ishte një vatër turpi, braktisjeje e infeksionesh”, tha Rama.
Duke iu referuar investimeve për rehabilitimin e liqenit në qendër të Pukës, Rama tha se “mbi 90 mijë metër kub plehra, mbeturina spitalore dhe gjarpërinj janë hequr nga ajo gropë e zezë, që sot është kthyer në një liqen në mes të qytetit”.
“Ashtu sikundër këtu ku jemi sot, ishte një ferr me kthesa dhe me gropa dhe një rrugë braktisje pa folur për godinat e hijen e përgjithshme mbi qytet. Sot jemi në një situatë krejt tjetër dhe rritet vazhdimisht numri i atyre që vijnë këtu për të kaluar një ditë dhe një natë”, tha Rama.
Sfida, sipas tij, “është që të rriten kapacitetet e mikpritjes dhe të investohet në zonën rurale e agroturizëm duke shfrytëzuar bukurinë natyrore që është pasuri për të promovuar turizmin në gjithë këtë zonë ku janë potenciale të jashtëzakonshme”.
Tani ne kemi këtu një pikë referimi, tha Rama, duke shtuar se edhe Fushë Arrëzi, që ishte si të kaloje ferrin, sot ka filluar të marrë një tjetër hije, një dritë shprese”.