Klubet e mëdha shpesh djegin shumë talente të tyre, pasi nuk i sigurojnë hapësira dhe nuk i japin besimin e duhur. Shembulli më i fundit është ai i Boubakary Soumare, të cilin PSG e largoi si dështak dhe nuk besoi për asnjë moment tek ai.
Mesfushori kaloi te Lille në verën e vitit 2017 me parametra zero, kohë kur ishte vetëm 18 vjeç. Që nga ai moment, rendimenti i Soumare ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe tashmë, ai kërkohet nga klubet më të mëdha në Europë. Inter, Real, Manchester United dhe Tottenham së fundmi janë rreshtuar për të kërkuar shërbimet e tij në merkaton e janarit. Gjithsesi, ekipi i Lille është i qartë dhe i prerë: Duhen të paktën 50 milionë euro! Inter duket pak i pashpresë në këtë ankand, ndërsa më të favorizuar për momentin duken Reali Madrid dhe Manchester United.
Reali është i favorizuar për arsyen se “Los Blancos” mund të mbyllin marrëveshjen me Lille, duke e lënë lojtarin në huazim aty deri në fund të sezonit dhe më pas në verë, Soumare të kalojë automatikisht në Madrid. Nga ana tjetër, Manchester United e sheh si një lojtar titullar mesfushorin dhe mund ta bindë të firmosë për ta muajin e ardhshëm. Pak më e komplikuar duket situata për një kalim te Tottenham, pasi “Gjelat” kanë alternativa në atë pozicion dhe zor se mund të shpenzojnë 50 milionë euro për të marrë Soumare, duke pasur emra si Winks, Ndombele apo Dier e Sissoko.