Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj shprehu sot mirënjohjen ndaj Bashkimit Europian për mbështetjen sektoriale buxhetore në fushën e drejtësisë dhe anti-korrupsionit.
“Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit janë dy angazhime të forta të kësaj qeverie për t’i ofruar qytetarëve tanë një gjyqësor të pavarur që merr vendime në bazë të ligjit dhe i jep gjithsecilit atë që i takon”, theksoi ajo.
Sipas ministres Gjonaj, “bashkërisht jemi të vendosur për të avancuar çdo ditë me luftën kundër korrupsionit, për t’i rikthyer shqiptarëve besimin tek administrata publike dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve publike cilësore”.
“Falënderojmë partnerët miq të BE-së që me mbështetjen buxhetore prej 42 milion euro, do të vijojnë të asistojnë në zbatimin e plotë të reformës në drejtësi”, theksoi Gjonaj.
Ajo theksoi se gjat takimit me ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, ka siguruar mbi angazhimin e plotë personal dhe të Ministrisë së Drejtësisë, për realizimin e të gjithë indikatorëve të parashikuara në kontratat sektoriale për zbatimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.