Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka , deklaroi sot në Kuvend se “nuk çuditem nga kthimi i ligjit për “Për rezervat materiale të shtetit”, pasi Ilir Meta ka kthyer 9 ligje në Kuvend. Ky nuk është as ligji i parë e as ligji i fundit që presidenti refuzon të dekretojë për arsyen e thjeshtë se vjen nga kjo mazhorancë”.

Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja Xhaçka tha se “për të qenë e sinqertë jam çuditur nga zhurma që ka shoqëruar këtë ligj. Është vërtet e çuditshme sesa pjellore është fantazia e kundërshtarëve të kësaj qeverie kur bëhet fjalë për të shpikur teori komplotesh e lloj lloj çudirash e marifetesh, por sa e varfër aftësia e saj për të sugjeruar ndonjë përmirësim, për të bërë një oponencë reale apo për të dhënë makar një ide a propozim pozitiv”.

“Për ditë të tëra u mbushën mediet me deklarata që Presidenti ka refuzuar të dekretojë ligjin sepse i jep Kryeministrit të drejtën të shesë e të blejë floririn e rezervave të shtetit. Sigurisht, që presidenti, si kreu i shtetit, ka të drejtë të shqetësohet për fatin e floririt të rezervave të shtetit, por nga ana tjetër, presidenti zotëron të gjithë informacionin e nevojshëm ligjor e institucional, për të kuptuar fare mirë që ky ligj nuk ka lidhje me floririn, por me gatishmërinë e shtetit shqiptar për të reaguar në situata emergjencash duke ju ardhur në ndihmë qytetarëve në një kohë sa më të shkurtër. Këtu nuk bëhet fjalë për shitjen e floririt por për lëvrimin e fadromave, mjeteve të rënda, grurit për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste emergjencash”, – nënvizoi Xhaçka.

“Me ligjin e ri këto kërkesa emergjente mund të miratohen brenda 24 orëve! Dhe atyre banorëve të bllokuar nga uji, apo dëbora, që kanë nevojë për ndihmë, nuk mund t’u themi jo, prisni, për pak javë a muaj do t’ju vijë ndihma, ja sa të kthehen ministrat që do braktisin punën për përballimin e emergjencës, sepse kështu donte Presidenti se kishte hallin e floririt”, – theksoi Xhaçka.

Ministrja tha se “pavarësisht refuzimit të Presidentit për arsye që i di ai, por që me ligjin s’kanë asnjë lidhje, unë besoj që ky ligj dhe kjo procedurë e re për lëvrimin e mallrave të Grupit A është një domosdoshmëri sot, kur jemi duke punuar kaq shumë për të ngritur një mekanizëm modern e efikas për përballimin e emergjencave civile”.

Ajo sqaroi se “Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit ishin të parat që fillimisht shfaqën shqetësimin për funksionimin e ligjit të vjetër e më pas iniciuan kërkesën për ndryshimin e ligjit, sepse eksperienca e tyre ju kishte treguar që procedura e vjetër, mes hartimit të projektvendimit dhe praktikës shoqëruese, marrjes së mendimit nga ministritë e linjës, dhe miratimi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ishte pak a shumë si ajo fjala: ta kapësh lepurin me qerre”.

“Besoj që janë po këto argumente që hedhin poshtë jo vetëm frikën se do i ndodhë gjë floririt të rezervave të shtetit, por edhe akuzën se ky ligj nuk garanton mbrojtjen e interesit publik. Sepse njësoj si në ligjin e mëparshëm e si në çdo akt tjetër administrativ, edhe autorizimi për lëvrimin e këtyre mallrave nga ana e Kryeministrit përpara se të nënshkruhet i nënshtrohet kontrollit të ligjshmërisë nga strukturat kompetente për garantimin e ligjshmërisë së akteve administrative”, – shtoi ajo.

Ministrja Xhaçka u shpreh se “i qëndroj bindjes sime që refuzimi i Presidentit nuk buron nga shqetësime ligjore apo ndonjë frikë e bazuar për floririn e rezervave të shtetit, por është thjesht politik, refuzimi i radhës, përpjekja e radhës për të futur shkopinj në rrota, që sinqerisht do të doja shumë që të mos ndodhte të paktën në raste ligjesh si ky për të cilin jemi mbledhur sot, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek jeta dhe mirëqenia e qytetarëve shqiptarë”.

Xhaçka i kërkoi kolegëve që ta miratojnë së bashku këtë ligj që padyshim, sipas saj, do të ketë një ndikim të ndjeshëm në aftësinë e shtetit shqiptar për të përballuar dhe për të menaxhuar në mënyrë shumë më efikase situatat e emergjencës.

ERTV Live?: Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Flet ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka – Nuk çuditem nga kthimi i këtij ligji, pasi Ilir Meta ka kthyer 9 ligje në Kuvend. Presidenti e refuzon ligjin, thjesht e vetëm sepse ky ligj vjen nga kjo mazhorancë.

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 12. September 2019