Dy ndeshje brenda tre ditëve dhe dy fitore! Carlo Ancelotti ka ringjallur sezonin e Evertonit, që ditën e sotme triumfoi ndaj Newcastle në transfertë 1-2. Pas takimit, trajneri italian foli për mediat, ku u shpreh modest, duke i dhënë merita ish-trajnerit të përkohshëm Duncan Ferguson. Sipas Ancelottit, ekipi kishte shpirt kur ai erdhi dhe puna që po bëhet tani është mjaft e mirë. Numri një i stolit thekson se ka akoma punë përpara dhe se duhet të përmirësohet shumë gjëra.

“Jam i lumtur. Ekipi luajti mirë. I kënaqur sepse ishte një ndeshje e vështirë. E nisëm vërtet mirë, por më pas Newcastle nisi të shtynte shumë. Ekipi po përmirësohet dhe kjo është e rëndësishmja. Lojtarët po mundohen të përshtaten dhe duan të ndryshojnë. Puna që Duncan Ferguson kishte bërë ishte fantastike. Kur unë erdha e pashë që kishte shpirt te të gjithë. Calvert-Lewin po luan mirë. Duhet të pranojmë që te goli i dytë merita shumë kishte edhe Richarlison. Nuk ka rëndësi kush shënon, ajo që duhet është puna dhe ekipi po e bën këtë gjë. Duam të luajmë ndeshje të mira dhe po e provojmë diçka të tillë. Ky është qëllimi ynë. Sigurisht që klasifikimi ka rëndësi, por na duhet ta mbajmë fokusin te ndeshja e radhës. Duhet të kemi besim, sepse po fitojmë. Duhet të provojmë të japim akoma më shumë dhe të bëjmë më të mirën.”