Përgatiti: Albert Zholi

Një episod nga jeta ilegale

Rrëfimi interesant mbi strehimin e Rita Markos si ilegal në shtëpinë e Llambi Kudrës

“Kur isha ilegal në Korçë, prisja me padurim të shkoja sa më parë në çetë, në mal. Në shtëpinë e shokut Llambi Kudra, ku isha strehuar, ishte ngushtë. Aty qe vështirë për të lëvizur. Pra, duhej të shkoja në një bazë tjetër, më të përshtatshme. Me rekomandim të Komitetit Qendror u vendosa në shtëpinë e Nesti Gambetës, një shok i vjetër e drejtues. Veç së ëmës, të atit dhe vëllezërve, atje banonte edhe një plakë e verbër. Kur të tjerët shkonin në punë, në shtëpi mbetesha me plakën, e cila nuk e dinte se unë ndodhesha aty.

Edhe shokët më kishin thënë se atje isha i sigurt dhe se plaka nuk kishte për të marrë vesh që aty ndodhej dikush, se nuk shikonte. Dy-tri ditë që qëndrova atje, e kalova me lexime. Por plaka ngjitej lart, në katin e dytë të shtëpisë dhe pyeste: “Kush është atje?! Pse keni ardhur?”, etj. Unë nuk bëja zë. Plaka vërtet nuk shikonte, por me intuitë e ndjente se aty kishte një njeri. Në shtëpinë e shokut Nesti Gambeta, unë ndjeva një ngrohje shoqërore shumë të madhe. Aty më ishin dhënë të gjitha mundësitë për kryerjen e të gjitha punëve të mia. Të njëjtën ngrohtësi gjeta edhe në shtëpinë e Llambi Kudrës, nga dadoja e tij. Sa plakë e mirë që ishte!

Baza nr. 1 (korrik 1942)

Rita Marko vijon rrëfimin mbi strehimin, për atë që kreu në shtëpinë e Gjine Rizës, në Bulgarec

Në bazë të udhëzimeve të drejtuesve të partisë, braktisa jetën ilegale në Korçë. Bashkë me shokun tim, Gaqo Peristerin, në korrik të vitit 1942 u nisëm për në Bulgarec. Qysh nga fillimi i atij viti, në këtë fshat, partia kish një bazë të saj dhe shokë të mirë e besnikë. Pasi kaluam qytetin, të maskuar më së miri, të veshur si intelektualë, me borsalinë dhe këpucë të zeza, (kështu ishte më lehtë të dilje nga qyteti pa u vënë re) arritëm në shtëpinë e Gjine Rizës. Bulgareci është afër Korçës, jo më shumë se 30-40 minuta më këmbë. Shkuam me biçikleta. Gjendjen e fshatit nuk e njihja. Edhe familjen e Gjines po ashtu. Isha i qetë, se shokët e qarkorit të partisë më kishin thënë se do rrija disa ditë në një familje të mirë. Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi.

Unë gjeta aty një mjedis shumë të ngrohtë. Gjineja ishte anëtar i partisë. Atij nuk i trembej syri nga asgjë. Megjithatë, duheshin marrë masa, që vajtja ime në fshat të mbetej konspirative. Për këtë arsye, më duhej të qëndroja i mbyllur në njërën nga të dy dhomat që kishte. Gjithë familja mbajti një qëndrim mikpritës, burrëror e konspirativ. Shoku Gjine Riza kishte në familjen e tij shtatë fëmijë, gruan, të atin. Gjithsej bëheshin dhjetë frymë. Atje qëndrova trembëdhjetë ditë. Për praninë tonë në atë shtëpi ishin në dijeni e shoqja, plaku, djali më i madh dhe dy anëtarë të tjerë partie, djem të fshatit. Familja e Gjine Rizës ishte shumë e lidhur me partinë. Në gjirin e saj zotëronte një patriotizëm i flaktë. E gjithë familja kishte vetëm një dëshirë: ta ndihmonte sa më shumë luftën, të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së Partisë. Një qëndrim të njëjtë mbante i gjithë farefisi i Rizajve.

Edhe në të kaluarën, këto familje ishin dalluar për burrëri, patriotizëm dhe për lidhjet e tyre me lëvizjet patriotike. Bulgareci ishte një fshat i madh në krahasim me fshatrat e tjerë, por i ndarë më dysh. Regjimet e mëparshme kishin futur midis fshatarëve dasinë dhe ambiciet midis ortodoksëve dhe muhamedanëve. Por Lëvizja Nacional-Çlirimtare filloi t’i sheshonte këto. Komunistët e fshatit, Gjine Riza, Llazi Riza, Ndreçi Plasari, Fehmi Molla etj. dhe familjet e tyre, duke punuar sipas mësimeve të partisë mundën të kapërcenin ndasitë fetare dhe ta bëjnë fshatin një bazë të mirë të luftës. Ata gëzonin autoritet të madh në popull. Kështu mund të shpjegohet edhe fakti, që shumë aktivitete në favor të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare bëheshin sheshit, në mes të fshatit. Dhe armiku nuk merrte vesh asgjë. Ai ua kishte frikën komunistëve, që gëzonin një autoritet të madh në fshat. Një nga ato ditë të fundit të korrikut, që ndodhesha në Bulgarec, në dhomën lart ku rrija, gruaja e Gjines më njoftoi se në lagjen përtej, në fshat, ishin dukur xhandarët dhe po drejtoheshin për në lagjen tonë. Në fillim, më shkoi mendja se mos kish ndonjë kurth në këtë mes, mbase dikush do të na kishte tradhtuar. Kjo më shqetësoi.

Duke parë gjakftohtësinë e familjes, e mbajta veten. Zbrita nga shtëpia dhe duke dalë nga plevica, u futa në një hendek dhe shkova afro një kilometër larg shtëpisë, ku u maskova në një vresht. Isha i armatosur me revolver e bomba dore. Ora ishte tre e gjysmë, ose katër pasdite. Xhandarët u kthyen nga erdhën. Në mbrëmje u ktheva përsëri në shtëpinë e Gjines. E kujtoj me nostalgji qëndrimin tim në Bulgarec, ca më shumë kur e lidh me ngjarjen historike të 24 korrikut.

24 korriku 1942

Dita e prerjes së telave telefonike Korçë-Tiranë dhe rrugëtimi pas saj, nëpër shtëpitë e fshatarëve, duke folur për luftën

Atë ditë organizuam prerjen e telave telefonike Korçë-Tiranë. Më kujtohet si tani: ishim katër veta, Gjineja, Ndreçi, Sotiri dhe unë. Ky ishte aksioni i parë në jetën ilegale kundër pushtuesve, aksion që u krye në shkallë kombëtare. Prerja e telave telefonike ishte punë e vështirë. S’kishim mjetet e nevojshme, por Sotir Beci, ish-partizan i Brigadës së Parë dhe rënë në Tendën e Qypit, ishte me të vërtetë akrobat. Ngjitej lehtë nëpër shtylla. Filluam t’i këputnim telat e parë, rrëzuam katër a pesë shtylla në vende të ndryshme.

Pasi kryem detyrën, u kthyem në fshat. Ditën tjetër shokët e Korçës na njoftuan se aksioni kishte patur sukses të madh si në rrethin e Korçës, ashtu edhe në të gjithë vendin. Prerja e telave telefonike shkaktoi panik të madh në radhët e okupatorit fashist. Më 26 korrik u largova nga Bulgareci. Mbasi takova dy shokë, Dhosi Progrin e Kiço Shambllin, vendosëm të shkonim në Korie, një vend mbi fshatin Kolanec. Të armatosur me bomba dore dhe me revole, kaluam nëpër ara, mbi rrugë e nën rrugë. Në grykën e Pocestës takuam disa shokë të tjerë, midis të cilëve Reshit Çollakun. Kjo u bë në orën njëmbëdhjetë të natës, duke përdorur parullën dhe kundërparullën. Më bëri shumë përshtypje kjo mënyrë e organizuar e takimit. Shokët dolën nga pylli ku ishin fshehur. Ata na thanë se qëndrimi në Korie nuk ishte i sigurt. Duhej kaluar përtej Maliqit. Fjala e Reshitit ishte e arsyeshme dhe na bindi. Në Sovjan, ai kishte disa miq të tij, ku mund të mbështeteshim. Liqeni i Maliqit në këtë kohë mund të kalohej vetëm në një vend: te Ura e Komunës. Por atje ishte rrezik i madh, sepse e ruanin xhandarët, sidomos nga ana e Komunës. Mirëpo rrugë tjetër nuk kishte. Duke marrë parasysh rrezikun vendosëm të kalonim një nga një në largësi të mjaftueshme dhe me radhë. Unë kalova i treti. Xhandarët na vunë re qysh me kalimin e dytë, por u trembën.

Kaluam në sy të tyre pa ndonjë rrezik. Ishim lodhur shumë. Reshiti propozoi të qëndronim një ditë te një mik i babait të tij, që e kishte shtëpinë mbi xhade të Sovjanit. Më shumë se pesëmbëdhjetë minuta u sollëm rreth e qark shtëpisë duke trokitur dhe duke dhënë shenja, por më kot. Ajo ishte një familje e pasur dhe frikësohej ta strehonte të nipin me shokët e tij partizanë! Prej këtu, anës liqenit, vazhduam të ecnim të uritur e të lodhur dhe mëngjesi na zuri në lagjen e poshtme të fshatit Zvirinë. Njëri nga shokët na tha se kish një mik, ku mund të shkonim e të çlodheshim tek ai. Në shtëpinë e Vasillaqit, kështu e quanin këtë fshatar të varfër të Zvirinës, gjetëm një mikpritje të ngrohtë dhe të gjitha të mirat: bukë, gjellë, ngrohtësi patriotike. Ai na vuri në shërbim djalin e tij të madh. Me një varkë u maskuam gjithë ditën e ditës në liqen. Grusht bashkuar e me moral të lartë kundër okupatorit, isha partizan në çetën partizane të Gorës. Aty nga fillimi i gushtit të vitit 1942, bëmë disa udhëtime të fshehta në fshatrat e Gorës e të Oparit të Poshtëm. Si kurdoherë, por sidomos tani, ishte e nevojshme lidhja me njerëz të njohur e patriotë. Ishim përpara zhvillimit të punimeve të Konferencës së Pezës. Duhej krijuar fronti i gjerë i masave për të luftuar fashistët dhe tradhtarët e vendit, që i shërbenin pushtuesit. Zgjerimi i Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit tonë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare, edhe në prefekturën e Korçës bëhej me hapa te shpejta.

Fjala e partisë kishte hyrë në shtresat e gjera të popullit. Në këto kushte, morali i shumë funksionarëve, nëpunësve dhe xhandarëve të komunave dhe post-komandave, (organe të pushtetit lokal, vënë në shërbim të okupatorit) kishte rënë shumë. Aksionet e partizanëve dhe agjitacioni e propaganda e partisë në popull i kishte tronditur. E çara e parë në radhët e armikut u bë në komunën e Voskopojës, ku ishte sekretar Nuri Resnja, një shok i vendosur për çështjen e atdheut. Kryetari i saj u hodh me lëvizjen. Ne punuam për ta thelluar e zgjeruar më tej këtë proces. Syrin ia vumë kryetarit të komunës së Kucakës, Shaban Zerecit. Ishim të njohur me të. Shabani kish pranuar që çetat partizane të lëviznin fshehurazi në krahinën e Oparit e në Kucakë. Shkuam në Kucakë për ta takuar. U vendosëm në shtëpinë e një fshatari. Dhori Gasperi e quanin, të cilin Shabani e kishte mik. Na pritën në mënyrë shumë të përzemërt e të ngrohtë. Fshatari e ktheu vizitën tonë në një gosti të madhe. Kecin e poqi në hell.

Duke biseduar me Shabanin, mësuam se edhe komandanti i xhandarmërisë në komunë ishte gati të bashkohej me ne, në një kohë të volitshme. Komandantin e xhandarmërisë së komunës, për të cilin bëhej fjalë, nuk e njihja. Papritur u ndodhëm ballë për ballë. Ishte kapteri Ibrahim Ruka, i cili, në shkurt të vitit 1942, kur më thirrën rekrut nga Korça për të më dërguar në Kuçovë, më kapi në Elbasan së bashku me nja dy shokë të tjerë, teksa arratiseshim nga ushtria. Më dha dorën, uli kokën i turpëruar dhe u skuq. Mesa dukej, e vriste ndërgjegjja për atë që kish bërë. “Mos e ul kokën, – i thashë unë, – se atë rrugë që nisa, po atë vazhdoj…”. Pranoi se kishte qenë në rrugë të gabuar dhe kishte vendosur ta ndreqte gabimin. Kapteri i xhandarmërisë u bashkua me forcat partizane. Së bashku me kryetarin e komunës dhe komandantin e xhandarëve filluam një marshim në rrugën Nikollar-Leshec dhe Dobërçan. Qëllimi ynë ishte të bindnim disa të arratisur për shkaqe hasmërie dhe t’i kthenim në rrugë të drejtë, të bëheshin të vlefshëm për lëvizjen, të linin mënjanë hasmëritë dhe të viheshin në shërbim të popullit për të luftuar armikun pushtues. Këta i takuam në Dobërçan. Ishin Sefer Moglica dhe Rahman Zvarishti. Pas bisedimit që bëmë, ata pranuan të braktisnin rrugën e tyre të gabuar; siç pranuan edhe të bashkoheshin me ne e të lidheshin me çetën partizane. Udhëtimi nëpër fshatrat e Oparit të Poshtëm ishte shumë i nevojshëm dhe në interes të punës së partisë. U mor kontakt me njerëz të lëkundur, të cilët u vunë në rrugë të drejtë. Dhe kjo hapi rrugën për veprime të mëtejshme. Një ditë të tërë te Shkëmbi i Dobërçanit bëmë qitje me armë. Aty u treguan edhe aftësitë tona në qitje.

Pashë dhe u binda, se disa nga shokët tanë ishin të aftë në qitje. U luftua kështu koncepti i gabuar, sipas të cilit djemtë e qytetit nuk ishin për pushkë. Shenja e qëlluar nga shumë prej nesh u bë copë e thërrime. Sefer Moglica, Hasan e Rahman Zvarishti u lidhën me ne. Po kështu, Shaban Zereci dhe Ibrahim Ruka lanë komunën dhe postën e xhandarmërisë dhe u lidhën me ne. Rahman Zvarishti më vonë tradhtoi. Kaloi në anën e Ballit dhe u bë kuestor në Korçë. Në prag të çlirimit, në përpjekje me partizanët, u vra. Transporti i armëve Ishte gushti i vitit 1942. Dhosi Pecani (Progri) dhe unë, pasi ndërruam veshjet, kaluam nëpër fushën e Korçës dhe arritëm në Progër. Aty shkuam me porosi të Komitetit Qarkor të Partisë. Për të lajmëruar Fuat Babanin, që të kishte kujdes se do arrestohej. Fuati atë kohë ish-sekretar i Komunës së Progrit për të marrë disa armë, të cilat do t’i duheshin çetës sonë për veprime të mëvonshme. Progri ishte komunë dhe kishte një postë xhandarmërie. Hyrja në fshat dhe pastaj nxjerrja e armëve së andejmi ishin punë të vështira.. Këto ishin, së paku, mendimet tona dhe të shokëve që na dërguan. Kur arritëm në fshat gjendja ishte krejt ndryshe nga ç’na kishin thënë dhe nga ç’kishim menduar ne. Megjithëse ky fshat ishte qendër administrative dhe ushtarake e armikut, populli ishte i lidhur me partinë dhe vepronte nën udhëheqjen e saj. Na pritën në shtëpinë e Lefter Lakrorit me gjithë të mirat.

Shokët e fshatit dhe rinia u treguan shumë të gatshëm. Ata na dhanë të gjitha lehtësirat dhe ndihmën për të kryer detyrën e ngarkuar. Në mes të ditës, kaluam nëpër fshat. Dhosin, si djalë të fshatit, e takonin, e përshëndetnin dhe fjaloseshin me të. Na përcollën deri te burimet. Sipas rekomandimit që kishim, ndalesën e parë e bëmë në shtëpinë e Risto Lekës, ndanë fshatit Pendavinj. Doli e shoqja dhe na priti me përzemërsi. Ajo na gostiti me lakror. Më hyri në zemër kjo familje, se ishin të dëgjuar, sidomos kur mësova se Risto Leka kishte luftuar pa u trembur kundër padrejtësive dhe taksidarëve për taksat e shumta që paguanin dhe për këtë ishte burgosur disa herë. Megjithatë, ai asnjëherë nuk u ishte nënshtruar. E kisha dëgjuar Risto Lekën që këndonte tërë gaz e hare. Më dukej sikur e gjithë shtëpia këndonte.

Pak kohë më vonë, djemtë e Risto Lekës dolën partizanë. Ndalesën e dytë e bëmë në Bulgarec, ndërsa të tretën e bëmë në Polenë, ku dërguam edhe armët në vendin e caktuar. Ta kalosh Fushën e Korçës me këmbë, nuk është ndonjë gjë e vështirë, por të transportoje në atë kohë një barrë me pushkë (10-15 copë) nën hundën e armikut që kontrollonte të gjitha rrugët, nuk ishte punë e lehtë. Armët, të mbështjella me rrogoza dhe të maskuara mirë, i transportuam me kafshë…

Krisma e parë, dëshmori i parë (gusht 1942)

Ngjarja pikante që la mbresë në zemrën e Rita Markos. Vrasja e Tafil Pirgut, djalit të Nënë Pashakos, prej të cilit mori frymëzimin edhe filmi i njohur shqiptar “Yjet e Netëve të Gjata”…

Njësiti ynë partizan, që përbëhej nga tetë a nëntë veta, komandohej nga Reshit Çollaku e Teki Kolaneci. Gjendej vazhdimisht në lëvizje dhe kishte fituar njëfarë përvoje në përpjekjet me pushtuesit. Shumica ishim anëtarë partie. …Ishim në fshatin Çereshnik të krahinës së Gorës. Rreth orës 12 në mesnatë, vijnë dy shokë, Kiço Shamblli e Aleko Bimbli me një letër dërguar nga Komiteti Qarkor i Partisë të Korçës. Ky i fundit kërkonte që njësiti partizan të dilte në Grabovicë dhe të vendosej nëpër pozicione për të evituar transferimin e disa shokëve të burgosur, që dërgoheshin në Ventotene (Itali). Njësiti ynë u vu në gatishmëri luftarake.

Pasi u këshilluam, vendosëm të niseshim pa humbur kohë për të zbatuar urdhrin. Duhej të shpejtonim, sepse Qafa e Grabovicës ishte larg nga fshati Çereshnik. Ndaj të gdhirë, arritëm në Grabovicë. Pastaj zumë pozicione të mira në korie, sidomos nga pjesa e sipërme. Vendosëm që Raqi Zavalani të qëndronte në anën tjetër të xhadesë, sepse andej, duke qëndruar i maskuar, i jepej mundësia të shikonte së largu makinat që do të vinin nga Korça. Mendonim se çdo gjë ishte në rregull dhe se gjithçka shkonte sipas parashikimeve tona. Por ndodhi ndryshe! Xhandarët e Çëravës, të informuar që më parë, nxituan dhe zunë pozicione në anën tjetër të xhadesë, aty ku ish shoku ynë. Bisedat e tyre me zë të lartë dëgjoheshin këtej xhadesë dhe, ashtu të maskuar siç ishim, në pritje, u detyruam t’i vëzhgonim për gati dy orë. Nga ora dhjetë dëgjuam një krismë arme dhe një të bërtitur “Mama mia!”. Nuk e e merrnim dot me mend se çfarë kishte ngjarë! Mos vallë e vranë shokun tonë, Raqin?!

Filluam edhe ne të qëllonim mbi xhandarët. Në këtë kohë u duk në rrugë dhe një autoblindë armike, që vinte nga Korça dhe shoqëronte të burgosurit. Në çast drejtuam goditjen tonë në dy drejtime: kundër xhandarëve të postës së Çeravës dhe kundër makinave që sillnin të burgosurit. Përnjëherë mësuam se forcat ushtarake që vinin nga Korça dhe shoqëronin të burgosurit, ishin në dijeni të pozicioneve tona. Dikush nga ata që ishin në burg do kishte dekonspiruar aksionin. Lufta vazhdoi për nja dy orë e gjysmë. Nga njësiti u vra shoku ynë i dashur Tafil Pirgu, djali trim i nënë Pashakos. Pas kësaj përpjekjeje, na u desh të tërhiqeshim në thellësi të malësisë dhe, mandej, të ndaheshim në grupe të vogla prej dy-tre vetash, që të kishim mundësi strehimi. Zemrat tona ishin të lënduara nga vrasja e Tafilit tonë të shtrenjtë dhe nga humbja e ndërlidhjes me Raqin.

Nuk dinim se ç’u bë! Tafili s’kishte as 24 orë që kishte vënë mbi kapele yllin e kuq partizan. Se çfarë humbje pati armiku, nuk morëm vesh. Tekiu, Maqi Mita dhe unë morëm drejtimin nga Mokra. Milicët ndiqnin gjurmët tona në të gjitha anët. Tri ditë e tri net mbetëm pa ujë dhe pa bukë në një korije. Pastaj ramë në kontakt me një rojtar fshati. Tekiu e njihte. Rojtari na furnizoi me ushqim dhe na shoqëroi për në Kolanec. E dinim, se po të hanim bukë si zakonisht, duke qenë të pangrënë prej disa ditësh, do të “deheshim”. Megjithatë, hëngrëm dhe e pësuam. Pasi kapërdiva kafshatat e para, filloi të më merreshin mendtë! Maqi Mita ment na ra në Devoll! Nuk e mbanin këmbët. Pas 4-5 ditësh, njësiti u mblodh përsëri. Bëmë analizën e aksionit. Në mbledhje ishte edhe Raqi Zavalani.

Ai na tregoi sesi kishte shpëtuar. Njeriu që thirri “Mama mia!” , na tha Raqi, ishte një karabinier, i cili, kur shkoi të derdhte ujët prapa ferrave, pak larg xhandarëve të tjerë, ndeshi atje Raqin. Karabinieri italian iu drejtua me armën në dorë, por Raqi nuk vonoi dhe e qëlloi me revolver në bark. Fashisti ra përtokë i vrarë, kurse Raqi vrapoi drejt fushës. Aksioni i Grabovës u organizua sipas udhëzimeve të Komitetit Qarkor të Partisë të Korçës. Siç e përmendëm më lart, ai kishte për qëllim të lironte të burgosurit, të cilët do t’i internonin nëpër kampet e Italisë.

Qëllimi i aksionit dhe çasti kur u bë ai, ishin zgjedhur drejt dhe kishin një rëndësi të veçantë. Aksioni i Grabovicës bëri efektin e vet, si një aksion me rëndësi, si një veprim i organizuar. Ai na vlejti shumë, sepse na dha mësim për goditjet e tjera. Fashistët dhe tradhëtarët u sulën si të tërbuar kundër familjes patriotike të shokut tonë, Tafil Pirgut. Por ajo u qëndroi heroikisht torturave të armiqve. Të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje ndoqën shembullin e Tafilit të paharruar.

“Të zgjerojmë radhët, por të mos prekim parimet”dhe Teki Kolaneci

“Në gusht të vitit 1942, kur ishim në Nikollarë, një miku ynë na ndërlidhi me një të arratisur për krime ordinere; Rahman Zvarishti e quanin. Qëllimi ynë ishte që këtë njeri ta hiqnim nga rruga e tij e gabuar dhe ta aktivizonim për luftën. Takimi u bë në fshatin Dobërçan, me ndërmjetësinë e Hasan Leshecit dhe Sefer Leshecit. Edhe këta kanë qenë të arratisur si i pari. Rahmani pranoi të bashkohej me ne. I vumë ca kondita: t’i luftonte okupatorin dhe tradhtarët e vendit dhe të hiqte dorë nga hasmëritë. Pranoi, por njëkohësisht, kërkoi që të krijonte një çetë të vogël të tij.

Një, ose dy ditë që qëndruam në Dobërçan, Rahmani pranoi platformën e luftës sonë. Meqë u ekspozuam në atë krahinë, vendosëm që të shpërnguleshim që aty dhe të shkonim për në Gorë, në fshatin Zvarisht. Në atë kohë nuk ishim më shumë se gjashtë a shtatë partizanë. Të gjithë ishim anëtarë partie. Drejtimin e punëve ushtarake e bënim me anën e celulës së partisë. Përgjegjës i celulës ish, në të njëjtën kohë, edhe përgjegjës ushtarak. Sekretar të celulës dhe komandant kishim shokun Teki Kolaneci. Tekiu ishte futur ilegalisht në Korçë për të kuruar nofullën, që e kish të sëmurë. Bëmë një udhëtim të gjatë nga Dobërçani në Zvarisht natën e shtunë ndaj të gdhirë e diel.

Kur arritëm në Zvarisht, të gjithë shkuam në shtëpinë e Rakip Zaçellarit. Ai mbante akoma funksionin e kryeplakut të fshatit, megjithëse ishte krijuar një këshill; me disa përfaqësues të fshatit dhe ai ishte zgjedhur kryetar i atij këshilli. Rakipi ishte burrë me karakter, me gjëndje ekonomike disi të mirë dhe ish lidhur që herët me Partinë. Rahman Zvarishti nuk erdhi me ne. Shkoi në një shtëpi tjetër. Siç ishim të rraskapitur nga udhëtimi, që të pesë shokët ramë që të flinim. Sa na kishte zënë gjumi, na zgjuan e na lajmëruan se xhandarët e komunës së Voskopojës gjendeshin përpara derës së shtëpisë së Rakipit. Si zakonisht ata kërkonin kryeplakun. E shoqja e Rakipit, një grua e re në moshë, duke shkelur zakonin e atëhershëm, sipas të cilit gratë nuk dilnin para burrave të huaj, brofi përpara xhandarëve dhe u tha të prisnin pak, sa të rregullonte fëmijët që i kishte të zhveshur. Hyri me vrap brenda dhe na lajmëroi. Një e nga një dolëm nga dritarja. Një shoku ynë, teksa doli me nxitim nga dritarja, harroi dy bomba dore pranë oxhakut. Kjo krijoi rrezik për familjen. Vëllai më i madh i Rakipit, Kajmaku, i ftoi xhandarët të hynin brenda. Kur pa bombat në krye të oxhakut, u ul mbi to dhe, duke iu drejtuar xhandarëve u tha: “Urdhëroni e uluni, se unë, sipas zakonit, e zura qoshen që është për të zotin e shtëpisë” Kjo qe ç’qe! Krijoi kështu një rrezik akoma më të madh.

Ne zumë vend jashtë dhe u bëmë gati të luftonim me xhandarët, në rast se do të kish arritur puna deri aty. Xhandarët qëndruan sa qëndruan, seç kërkuan nga kryeplaku i fshatit dhe, më në fund, u larguan. Nga sa dukej, kuptuan se nuk e kishin mirë punën. Pas kësaj ngjarje, edhe ne u larguam për në Babien. Do të formonim edhe atje një këshill. Në Babjenj u vendosëm në shtëpinë e një fshatari shumë të mirë: Take Babienjit, Rahman Zvarishti sërish shkoi në një shtëpi tjetër. Natën vonë, Rahmani kërkoi që të iknim nga ai fshat. Po ne nuk kishim mbaruar punë. I thamë se nuk ishte mirë të iknim nga fshati pa u folur fshatarëve dhe pa kryer detyrat tona, për të cilat kishim shkuar. Të gjitha këto treguan qartë se Rahman Zvarishti kërkonte ta merrte nën komandën e tij njësitin tonë partizan dhe, në emër të Partisë, të realizonte qëllimet e tij ambicioze.

Ne e kundërshtuam dhe për këtë shpërtheu një konflikt i ashpër. Vetëm ndërhyrja e disa miqve bëri që puna të mos arrinte deri në përdorimin e armëve. Bëri ç’bëri e ai shkoi në Beras, ndërsa ne qëndruam në Babjenj. Pasdite, në një çast u gjendëm të rrethuar nga një grup milicësh! I pat sjellë në fshat një spiun nga Babjeni. Mundëm të delnim nga rrethimi me vështirësi të madhe, nëpër një grykë. Aty na u plagos shoku Raqi Zavalani. Edhe këtu u duk fare sheshit, se Rahman Zvarishti ishte njeri i lig. Zor se ai njeri do të merrte rrugën e drejtë të popullit. Megjithatë, na kritikuan atëherë se nuk vepruam me takt me të. Por Rahman Zvarishti e vazhdoi rrugën e tij të tradhtisë. Ai u bashkua me Ballin. Por nuk e pati të gjatë, u vra, se ishte një tradhtar me damkë”.(AFP.al).j.j