Çështja më e nxehtë e ditëve të fundit në futbollin shqiptar është dështimi i organizimit të ndeshjes së parë të Superiores mes Skënderbeut dhe Partizanit që për herë të parë u zhvillua pa praninë ne policisë në stadium.

Një eksperiment që dështoi pasi që të dyja tifozeritë u përplasën ashpër me njëra-tjetrën, madje tifozët arritën që të futeshin edhe brenda fushës, që solli për disa minuta ndërprerjen e takimit.

Ditën e sotme ka pasur dy reagime për shtyp nga ana e klubit të Skënderbeut dhe të Partizanit – ku nuk kanë mungura dhe akuzat.

Klubi bardhekuq ka akuzuar tifozët e Partizanit si iniciatorët e dhunës duke theksuar se ata e bejnë këtë gjë pasi kanë mbështetje me prapavijë politike.

Korçarët apelon që FSHF-ja duhet të presë njëherë vendimin e Prokurorisë, para se të vendosë për masat që do të marrë për atë ngjarje.

E Ripërsëritur!

Duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura ditën e premte gjatë zhvillimit të ndeshjes Skënderbeu – Partizani, në Stadiumin ‘Skënderbeu’ dëshirojmë të reagojmë dhe kërkojmë nga autoritetet përkatëse zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen para ligjit të autorëve. Bilanc lufte në 4 vitet e fundit! Ata që viktimizohen dhe përgjegjësinë e tyre prej vitesh e adresojnë tek të tjerët duke trilluar dhe skenarë të formave të ndryshme në 4 vite e fundit gjatë transfertave në Korçë kanë shkaktuar minimalisht 3 milion lekë dëme materiale dhe me dhjetëra të plagosur.

Kur do vijë momenti që përgjegjësia t’iu kalojë atyre që shkaktojnë trazira? Atyre që dhunojnë, shkatërrojnë stadiume dhe rrezikojnë jetën e qindra fëmijëve dhe sportdashësve të tjerë të cilët 90’ minutat e takimit i shohin vetëm si mënyrë argëtimi dhe jo lufte.

KF Skënderbeu bën thirrje për implementimin e plotë të ligjit për sportit dhe individualizimin e përgjegjësisë. Nuk mund të vijohet më me dënime kolektive që demtojnë produktin tonë dhe investimet e klubeve. Nuk mund të jenë ende të paprekshëm grupime me prapavijë dhe mbështetje politike, i njëjti grupim që shkaktoi trazirat ditën e premte në Korçë duke përfituar nga paprekshmëria kanë shkaktuar të njëjtin incident thuajse në të gjitha stadiumet e Kategorisë Superiore.

Është fakt! E njëjta tifozëri, ka shkaktuar incidente të ngjashme edhe me prezencën e forcave të policisë në pjesën e brëndshme në stadiumit duke përfituar nga paprekshmëria dhe duke qënë vazhdimisht të privilegjuar nga mbështetja politike.

Në dijeninë tonë, incidenti i ndodhur në stadiumin ‘Skënderbeu’ ditën e premte po hetohet nga prokuroria e rethit Korçë. Nisur nga ky fakt, KF Skënderbeu i kërkon Komisionit të Disiplinës pranë FSHF të presë zbardhjen e çështjes nga ana e Prokurorisë në lidhje me incidentin në fjalë dhe po ashtu kërkojmë nga Prokuroria e rethit hetimin me një standart të dy tifozërive dhe jo vetëm të grupimit bardhekuq në mënyrë që të dalin përgjegjësit e vertetë të incidentit.

Në stadiumet Shqiptare nuk mund të ketë më të paprekshmëm me prapavije politike. Ata që prej vitesh dëmtojnë investimet tona, dhunojnë pronën privatë, prishin qetësinë publike dhe mbi të gjitha largojnë tifozët nga stadiumet.

Me respekt, KF Skënderbeu”, thuhet në komunikatën e bardhekuqve.

Ndërkohe, klubi i Partizanit në deklaratën për shtyp u distancua nga këto ngjarje, por gjithashtu theksoi se kjo ishte çështje organizative dhe të gjithë duhej të merrnin masat e duhura.

DEKLARATË PËR SHTYP

Përgjatë ditëve të fundi klubi Partizani ka monitoruar dhe ndjekur me qetësi të gjitha informacionet e pasqyruara nga mediat e shkruara, portalet, studiot televizive dhe opinionet nga njerëzit e komunitetit të sportit, në lidhje me incidentet e ndodhura në takimin premier të Kampionatit, Skënderbeu – Partizani.

Saktësojmë se klubi ynë nuk pajtohet kurresi me ngjarje të tilla të cilat prishin imazhin dhe nuk i shërbejnë futbollit të luajtur dhe Fair Play- it në fushë dhe tribuna. Përgjatë gjithë ditëve të fundit episodet e shfaqura në Korçë janë komentuar si dështim i eksperimentit pa prezencën e forcave të rendit.

Fakt është se prezenca e stjuartëve privat në stadium nuk mund të quhet eksperiment nga momenti kur është bërë ndryshimi i ligjit dhe rolin kryesor në mbarvajtjen e garës e ka klubi pritës.

Theksojmë se klubi Partizani për vite me radhë ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi organizimin dhe mbarëvatjen e ndeshjeve në kryeqytet, duke mos shënuar qoftë edhe incidentin më të vogël, i cili cënon aktivitetin apo garën sportive.

E riktheksojmë ne si klub nuk pajtohemi kurrsesi me ngjarjet fundit të ndodhura mes dy tifozerive, ndaj gjithmonë do të mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha instancat përgjegjëse të përfshira, për një mbarëvatje sa më korrekte të aktiviteteve sportive.

Klubi Partizani e ka për detyrim rikthimin e tifozëve në stadium duke u evidentuar edhe si klubi me mbështetësit më të shumtë në vend. Objektivi madhor i yni është që ti kthejmë stadiumet në arena argëtimi, pasi sporti luhet për publikun dhe ky duhet të jetë misioni dhe objektivi parësor i çdo klubi. Te Partizani marrëdhëniet klub + tifozeri janë një binom i pandashëm. Falë takimeve dhe kontakteve thuajse çdo javë , pjesë kjo e politikës së klubit, synojmë të përmirësojmë dhe forcojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me tifozerinë tonë, e cila është pjesë thelbësore me prezencën dhe mbështetjen pa kushte që i jep skuadrës në çdo ndeshje.”, mbyllet deklara e 15 here kampioneve te vendit. (TemA)