Në atë që do të jetë një përsëritje e ndeshjes së zhvilluar në fazën me grupe të Francë ’98 (kur David Beckham ndihmoi Anglinë të fitojë 2-0), Anglia do të përballet me Kolumbinë, këtë herë në 1/8-at e Kupës së Botës. Pas fitoreve të marra kundër Tunizisë (2-1) dhe Panamasë (6-1), Anglia do të paraqitet në këtë ndeshje pas humbjes 1-0 të pësuar në ndeshjen e fundit të Grupit G kundër Belgjikës.
Gjithsesi, ai takim nuk i ka dhënë shumë informacione të nevojshme kolumbianëve, duke parë se trajneri Southgate ka përdorur një rotacion të gjerë. Si rezultat, formacioni i Anglisë që do të zbresë në fushë mbrëmjen e së martës do të jetë në 100% të formës. Kolumbia, nga ana tjetër, e ka siguruar kalimin në 1/8-at pas fitores së marrë në ndeshjen e fundit të Grupit H, në ndeshjen e luajtur kundër Senegalit.
Ata kanë siguruar tri pikët falë një goli të Yerri Mina. Një rezultat që i ka dhuruar atyre vendin e parë në grup. Problemi i vetëm është se ylli i “Los Cafeteros”, James Rodriguez, ka qenë i detyruar të braktisë fushën pas vetëm 30 minutash lojë për shkak dëmtimi dhe mbetet në dyshim për sfidën kundër Anglisë.
Të dy skuadrat kanë patur të njëjtën ecuri në këtë Botëror (2 fitore, 1 humbje), por kur shikon 10 ndeshjet e fundit (në të gjitha kompeticionet), Anglia ka marrë 6 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Kolumbia, 4 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje. Fituesi i këtij takimi do të përballet me fituesen e Suedi-Zvicër.
Lojtarët kyç të kësaj sfide pritet të jenë, Harry Kane dhe Radamel Falcao. I pari ka shënuar pesë gola deri tani në Botëror dhe do të kthehet në fushë pasi ka qëndruar pushim kundër Belgjikës. I dyti, për shkak se James Rodriguez është në dyshim, pritet të udhëheqë skuadrën në sulm dhe të jetë rreziku numër një për mbrojtjen angleze.
Shifra dhe Fakte
– Kolumbia nuk ka pësuar gol në katër nga pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur në të gjitha kompeticionet.
– Anglia i ka fituar dy takimet e mëparshme me Kolumbinë; 2-0 në Francë ’98 dhe 3-2 në një miqësore të 2005-ës.
– Në katër nga gjashtë ndeshjet e fundit të Anglisë (në të gjitha kompeticionet), të dy ekipet kanë shënuar gol.