Dy kombe, që kanë pritur për vite të tëra të harrojnë shijen e hidhur të humbjes në gjysmëfinalet e kampionatit botëror, do të përballen me njëra-tjetrën, të mërkurën në Moskë, me synimin për të bërë një hap gjigant në historinë e futbollit.

Hera e fundit që Anglia ka luajtur në këtë fazë të Kupës së Botës ishte viti 1990 dhe “luanët” u mposhtën nga Gjermania me penallti, në Torino, ndërsa Kroacia, në Botërorin e parë që morri pjesë si shtet i pavarur, u mposht me përmbysje në gjysmëfinale, 2-1 nga Franca në vitin 1998.

Teksa shumë vetë janë habitur pasi nuk e prisnin që Kroacia të ishte mes katër ekipeve më të mira të Botërorit, në vendin ballkanas ka shumë optimizëm se kjo skuadër mund të bëj atë që nuk bëri brezi i artë i drejtuar nga Miroslav Blazevic, 20 vjet më parë.

Anglia u eliminua në gjysmëfinalet e “Itali ‘90” me shijen se Gary Lineker dhe Paul Gascoigne mund të fitonin trofeun. Por asnjë prej këtyre kombëtareve nuk ka kohë për nostalgji apo për të gjetur motivime nga e kaluara.

Gjithsesi, admirimi i futbollistëve kroatë për emra të tillë si Zvonimir Boban dhe Davor Suker është i pashmangshëm, por ata nuk duan të krahasohen me ata.

“Nuk ndjejmë presionin e asaj që ndodhi në vitin 1998, – thotë mesfushori Ivan Rakitic. – Ajo që kanë bërë idhujt tanë ishte mbresëlënëse, por ne duam të shkruajmë faqen tonë të historisë dhe ajo që kemi bërë deri tani është shumë pozitive.”

Humbja e Anglisë me penallti në vitin 1990 është kthyer në një dokumentar me titullin “52 vite dhimbje”, që pas triumfit të fundit në vitin 1966. Megjithatë, të hënën, mbrojtësi Ashley Young deklaroi: “Ne jemi të përqendruar te ajo që po ndodh, jo çfarë ka ndodhur në të kaluarën, po presin me padurim të shkruajmë të ardhmen.”

Anglia dhe Kroacia kanë ardhur në Rusi si skuadra të forta, por jo si pretendentet kryesore për trofeun, por rrugës gjërat kanë ndryshuar. Kroacia fitoi 3-0 ndaj Argjentinës në fazën me grupe, duke dhënë sinjalin e forcës së saj, bazuar edhe te inteligjenca dhe lidershipi i Luka Modric.

Kroatët u kualifikuan me penallti në dy raundet me eliminim direkt ndaj Danimarkës dhe Rusisë, duke treguar se janë të ftohtë edhe psikologjikisht.

Edhe Anglia pati nevojë për penalltitë që të eliminonte Kolumbinë në 1/8-t e finaleve, më pas “hoqi qafe” Suedinë me rezultatin 2-0, shumë lehtësisht.

Anglia ka fituar katër nga shtatë ndeshjet e luajtura kundër Kroacisë, përfshi suksesin 5-1 në sfidën e fundit zyrtare, në eliminatoret e Kupës së Botës 2010.