Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se herët apo vonë ndikimi i dollarit do të zvogëlohet dhe se shumë shtete do të fillojnë të heqin dorë nga dollari, raporton Anadolu Agency (AA).

Lavrov, i cili gjendet në Ankara në kuadër të Konferencës së 10-të të Ambasadorëve, zhvilloi një konferencë shtypi të përbashkët me homologun turk Çavuşoğlu.

Ai tërhoqi vëmendjen se marrëdhëniet bilaterale mes Turqisë dhe Rusisë vazhdueshëm shënojnë rritje, duke thënë se viti i ardhsëm do të jetë viti i kulturës dhe turizmit të ndërsjellë.

Duke folur për lajmet se regjimi i Bashar al-Asadit në Siri do të zhvillojë operacion ndaj Idlibit, Lavrov tha se janë krijuar kushte të caktuara për Zonën e Deeskalimit të Idlibit, ashtu si për rajonet e tjera.

I pyetur se çfarë qëndrimi do të ketë vendi i tij për sanksionet e SHBA-ve ndaj Rusisë, Turqisë dhe Iranit, shefi i diplomacisë ruse tha se këto shtete janë pjesëmarrës në procesin e Astanas.

“(Perëndimi dhe SHBA-të) Dëshirojnë të parandalojnë arritjen e rezultateve konkrete të procesit të Astanas. Mundohen që t’i imponojnë botës se ai është një format jopaqësor”, tha Lavrov.

Lavrov theksoi se sanksionet e njënashme ekonomike janë të paligjshme. “Tregtia me valutat kombëtare është një ndër objektivat tona në disa vitet e fundit”, tha më tej Lavrov.

“Abuzimi i këtillë i dollarit herët apo vonë do të zvogëlojë ndikimin e dollarit. Shumë shtete do të heqin dorë nga dollari. Në një mënyrë do të orientohen në partnerë më të besueshëm”, u shpreh Lavrov