Rusia do të përdorë emrin e ri zyrtar të Maqedonisë së Veriut në korrespondencat e ardhshme me shtetin ballkanik. Vendimi pason një periudhë me dyshime dhe akuza që Rusia ka shprehur rreth paktit të Prespës të arritur mes Shkupit dhe Athinës, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve 27-vjeçare mes dy vendeve. Ministria e Jashtme ruse ka njoftuar se do e njohë Republikën e Maqedonisë së Veriut me emrin e saj të ri zyrtar dhe kushtetues.
Diplomatët e Moskës informuan se njoftimin për ndryshimin e emrit e morën nëpërmjet ambasadës ruse nga Shkupi në datën 19 shkurt, dhe u vendos që vendi në korrespondencat e ardhshme zyrtare të referohet me emërtimin e ri. Ndryshimi në qëndrim vjen vetëm pak muaj pasi Moska shprehu rezerva për Marrëveshjen e Prespës të arritur qershorin e kaluar mes Shkupit dhe Athinës.
Në muajin tetor, Rusia hodhi dyshime edhe për referendumin që Maqedonia mbajti në lidhje me marrëveshjen e shumëpritur, duke e komentuar pjesëmarrjen e ulët të popullsisë një formë bojkoti, madje duke i akuzuar politikanët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian për ndërhyrje në politikën e brendshmë të shtetit ballkanik.
Analistët maqedonas vlerësojnë se kritikat e Rusisë kundrejt Maqedonisë tentojnë të dekurajojnë planet e ardhshme të vendit për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s. Anëtarësimi në bashkësinë e Atlantikut të Veriut shihet nga Kremlini si një hap që do të destabilizonte por edhe do të ulte ndikimin rus në rajon.
Ndërkaq, Maqedonia e Veriut vijon të kërkojë mbështetje për firmosjen e protokollit të anëtarësimit në NATO pas nënshkrimit paraprak më 6 shkurt të këtij viti. Deri më tani, parlamentet e 8 nga 29 vendeve anëtare të Atlantikut të Veriut i kanë dhënë dritën jeshile futjes së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Ndër nënshkrueset e para kanë qenë vendet e Ballkanit, si Shqipëria, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Rumania.