Nga Alba Malltezi/

Shumë bëjnë si “virgjëresha” të fjalëve të pista, por nuk e dinë se veprimet e tyre, të pavërtetat e tyre, deformimet e përfitimet e tyre në kurriz të një vendi, janë gjëja më e pisët që një qytetar, një individ, një patriot mund të bëjë. Shumë u “indinjuan” për përplasjen e madhe mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit historik të Partisë Demokratike në Kuvend, Sali Berisha, por pak duket se e vrasin mendjen për të kuptuar të vërtetat në ato akuza që hidhen e dëgjojmë përditë, prej 25 vitesh, në veshët tanë.

Për herë të parë, në Kuvendin e Shqipërisë, që nuk është Altari i Universit, por grumbulluesi i humoreve, instikteve, dijeve dhe padijeve, ëndrrave dhe ambicieve, urisë dhe paginjësisë së shqiptarëve, u përplasën dy njerëz të një rëndësie të madhe politike për Shqipërinë. Atëherë? Në vend që të qartësojmë mendjen e shpirtin se kush foli më sinqerisht, të mbledhim të dhëna e të verifikojmë se kush gënjen e kush thotë të drejtën para shqiptarëve, me fjalë dhe figurë, bëjmë sikur shqetësohemi për formën. Aty, në mërzi e sipër, në inat e sipër, në bërtitje e sipër në sharje e sipër. Aty kemi të vërtetat.

Dje në rrjete sociale e në biseda, Shqipëria dukej si ajo familja që jeton në një makth, dhunë, mjerim ndjenjash e vlerash, por është e shqetësuar më shumë se çdo gjë tjetër, jo për të kuptuar se ku qëndron e keqja, për ta shkulur e për ta mjekuar, por, të mos e marrë vesh lagjja. Të tjerët. Të tregojmë në sy të botës se jemi në harmoni e perfektë, të larë e hekurosur, pavarësisht se brenda kërcënohemi nga kalbja e vlerave. E kështu nisën recitimet e vjershat, peticionet e refrenet për formën, për dukjen, për gjasmen, jo për Të Vërtetën.

Njerëz, masa, turma që marrin përsipër të gjykojnë, jo të verifikojnë dhe me trurin e tyre, këtë mrekulli që Natyra na ka dhuruar, të arsyetojnë.

Le të përplasen me fjalën politikanët. Janë përplasur kurdoherë e kudo edhe në Parlamentet e shoqërive më të qytetëruara. Ne qytetarëve, kujt i dhimbset e do ta shohë të bukur e të vërtetë këtë tokë, duhet të na interesojë vetëm një gjë: Kush është më i drejtë, i sinqertë, punëtor e shërbyes i Shqipërisë mes tyre. Në inat e sipër njerëzit shpesh thonë atë që mendojnë, dhe fjalët, arrijnë në zemër, pa pasur kohë që mendja t’i përpunojë./shqiptarja