Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë seancës plenare të së enjtes deklaroi se komentet e Presidentit lidhur me Akademinë e Shkencave, nuk qëndrojnë.

“Është e vërtetë që në bazë të ligjit e paraqitur fillimisht nga një grup deputetësh ka patur formulime në disa nene që mund të interpretoheshin si mbivendosje funksione në ligjin për arsimin e lartë por ministria e Arsimit, Sportit të Rinisë në cilësinë e institucionit që ka ekspertizën mbi Ligjin e Arsimit të Lartë ka dërguar komentet dhe rregullimet e nevojshme, të cilat janë reflektuar plotësisht në ligjin e ri për akademinë e shkencave dhe e përsëris edhe njëherë, komentet e Presidentit nuk qëndrojnë. Gjatë debatit për ligjin e Akademisë së Shkencave, unë kam ngritur tre propozime që fuqizojnë rolin e akademisë së Shkencave jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë por për të gjithë Shqiptarët. Jo vetëm për anëtarët ekzistues të akademisë por edhe për ata që duhen promovuar një orë e më parë”, -tha Shahini.

Nga foltorja e parlamentit, ministrja ndau edhe propozimet për Akademinë e Shkencave.

“Unë kam propozuar që akademia e shkencave të Shqipërisë të fillojë procesin e përafrimit me akademinë e shkencave në Kosovë si dhe akademitë e tjera shqiptare në rajon, për të themeluar një akademi shqiptare duke federalizuar akademitë ekzistuese, duke harmonizuar përpjekjet e secilës, duke përafruar mendjet më të ndritura shqiptare, në mënyrë që të zhvillojmë dhe promovojmë identitetin tonë kombëtar, mes vlerave më të mira më të mira intelektuale përmes zhvillimit dhe promovimit të përbashkët të kërkimit shkencor, përmes përfaqësimit të shqiptarëve në formën tonë më të ndritur”, sqaroi ndër të tjera ajo.

Po ashtu, Shahini tha se Akademia e Shkencave duhet të nisë ndërtimin e strategjisë për zhvillimin, kodifikimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.

“Kam propozuar që akademia të fillojë menjëherë promovimin e grave dhe të rinjve dhe të shndërrojë institucionin nga një organizatë burrash të nderuar me thinja në kokë, në një organizatë që përfaqëson të gjithë diversitetin tonë kombëtar, intelektual dhe akademik si dhe kam propozuar që akademia e shkencave të marrë përsipër ndërtimin e strategjisë për zhvillimin, kodifikimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.

Gjuha Shqipe sot nuk trajtohet mirë. Institucionet që e kanë për detyrë ta promovojnë e zhvillojnë, janë konservatore në qasje. Ndryshe nga vendet ku gjuha evoluon, zhvillohet në hap me kohën, kodohet dhe reflektohet në fjalë në fjalor në librat gramatike, duke mundësuar zhvillimin intelektual të kombeve, përmes zhvillimit gjuhësor të tyre. Ne nuk e bëjmë mirë me gjuhën shqipe”, -përfundoi Shahini.