Akte serioze të dhunës në protestën e ditës së sotme u shmangën si rrjedhojë e presionit të fortë të ndërkombëtarëve.

Vetëm një ditë më parë, u raportua në media se dy deputetë të PD-së, Strazimiri dhe Paloka ishin të pranishëm në Lezhë për të rekrutuar elementë kriminalë.

Lajmi i publikuar gjerësisht kishte si burim persona që ishin takuar pikërisht me këta deputetë, të cilët i kishin dhënë një mesazh të qartë: “Nesër shpërthejmë Parlamentin. Mos u shqetësoni për gazin, pasi do t’iu pajisim me maska kundërgaz”.

Personat në fjalë u paguan bujarisht nga ana e PD dhe ishin të pranishëm ditën e sotme në protestë, në pritje të një urdhëri që nuk erdhi për të nisur aktet e vandalizmit.

Vendimtar në këtë kthim kursi duket se ka qenë qëndrimi i Bashkimit Europian dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Në një deklaratë të ashpër, pak përpara fillimit të protestës, kryediplomatja europiane, Federica Mogherini dhe komisioneri i Zgjerimit, Johaness Hahn theksuan se: “aktet e dhunës janë tërësisht të papranueshëm dhe ne dënojmë ashpër thirrjet e liderve politikë për ushtrim dhune”.

Deklarata e Bashkimit Europian theksoi gjithashtu se “djegia e mandateve do të mbyllte rrugën europiane për vendin” dhe se bojkoti i Parlamentit është i papranueshëm, në një moment kur Brukseli pret nga Shqipëria të kalojë reforma dhe ligje të rëndësishëm që do të shtyjnë përpara procesin e integrimit.

Presioni i Uashingtonit ka qenë edhe më i qartë gjatë këtyre ditëve, përmes një serie deklaratash të lëshuara nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Ashtu si edhe europianët, Ambasada Amerikane theksoi me forcë që nuk do të pranonte asnjë akt dhune, si dhe asnjë ndryshim politik që vjen si pasojë e këtyre kërcënimeve.

Departamenti i Shtetit, gjithashtu ka kërkuar që debati politik të zhvendoset nga rruga, dhuna e bombat molotov, në Parlamentin e Shqipërisë.

Përballë këtij reagimi të ashpër të ndërkombëtarëve, duket se Basha vendosi sot të bëjë prapakthehu.

Ndërsa ai duket i vendosur të ecë përpara me dorëzimin e mandatave, pavarësisht se është bërë e qartë që kjo do të krijonte një konflikt të hapur me ndërkombëtarët, të paktën ai u ndërgjegjësua që ushtrimi i dhunës ndaj Parlamentit ditën e sotme do të sillte pasoja të rënda dhe të parikupeshme për Partinë Demokratike.

Mbetet për të parë se si do të reagojë opozita përballë këtij presioni. Pasi braktisën skenarin e dhunës, a do të detyrohet opozita që të lëshojë edhe në kërcënimin e saj për djegien e mandatave?/LEXO.Al