Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, do të mbyllë punën përpara 8 dhjetorit, deklaron kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja.

Ai thekson se “brenda afatit të ri që morëm nga Kuvendi, komisioni hetimor do ta përfundojë punën e vetë. Do të zbatojmë planin përfundimtar të hetimit të miratuar nga Komisioni”.

Manja shprehet se “do të administrohen provat shkresore, dhe këtu e kam fjalën për opinionin paraprak dhe final të Komisionit të Venecias, do të administrohet dhe shkresa e ardhur nga Presidenti i Republikës lidhur me arsyet që e shtynë të anulojë 30 qershorin, duke respektuar tërësisht klauzolat ligjore për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.

Ai tha se “Komisioni është i detyruar të mbyllë punë që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr. 84 të vitit 2019. Është një komision që i kërkohet një vlerësim në aspektin ligjor nëse Presidenti e ka shkelur ose jo Kushtetutën, dhe raporti i këtij komisioni hetimor i tillë do të jetë. Më pas seanca plenare vendos politikisht për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.

“Votimi në parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”, tha Manja.