Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë aktivitetit “Bashkia që duam” se shumë shpejt do të prezantohet projekti për zhvillimin e liqenit të Shkodrës.

“Do vijmë për të parashtruar projektin tonë për Shkodrën sepse pavarësisht se ata nuk janë futur në fushatë, ne betejën nuk e kemi me ta. Ne betejën e kemi me problemet që duhen zgjidhur dhe me hallet e njerëzve që duhen adresuar dhe ne do të vijmë me një projekt dhe do të themi një për një se çfarë do të bëjmë për Shkodrën dhe çdo gjë që do të themi, do ta bëjmë ama ju dhe të gjithë shkodranët, nëse nuk ju bie rruga deri në Vlorë, shkoni në Pukë, se Pukën e keni këtu afër. Shkoni në Pukë dhe krahasoni Pukën me Shkodrën në aspektin e ndryshimeve të katër viteve të fundit. Shkoni shikoni Pukën, nuk keni për ta besuar”, tha Kreu i Ekzekutivit.

Duke vënë dukje transformimin e Bajzës, Tamarës, Vermoshit dhe Koplikut nga investimet e qeverisë, Rama shtoi se “ndërkohë që vij në Shkodër, shoh majtas, shoh djathtas dhe nuk kuptoj çfarë bëjnë këta njerëz. Unë e di çfarë bëjnë, merren gjithë ditën me llafe, merren gjithë ditën me politikë kot dhe djegin goma, këtë bëjnë dhe merren me komunizmin, luftojnë komunizmin në hava ndërkohë që Shkodra ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe shumë shpejt do vijmë, do shohim dhe projektin në Zogaj dhe gjithë projektin e zhvillimit të liqenit. Nuk arrijmë dot t’i japim fundi historisë së investimit aty tek zona e liqenit të by-pass-i se nuk ka shans të marrësh vesh se çfarë do bashkia. Edhe pak ditë do duroni dhe 30 qershor do shpëtoni”.