Sheshi qendror i Shirokës është në fazën e shtrimit me pllaka, mozaikët e të cilit bazohen në motive popullore.
Deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi ka ndarë disa foto, ku shihet transformimi i sheshit të Shirokës në një hapësirë moderne në të cilën ruhen elementët e traditës e ku qytetarët shkodranë do kenë mundësi të shijojnë këtë atraksion turistik tashmë me një shesh të ri.
Aktualisht është në një proces të plotë rivitalizimi të qendrës së saj, një nismë kjo e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe në bashkëpunim me bashkinë e Shkodrës.
Deri më tani janë realizuar 43% e punimeve, ku janë shtruar mbi 1000 m2 pllaka, si dhe janë kryer pjesë të muraturave të rrethimeve të banesave anash rrugës. Ndërkohë pjesa e parkimeve është gati me nënshtresat.
Kanë përfunduar muret në breg, të cilat janë veshur, si dhe fasadat e ndërtesave.
Punimet për rikonstruksionin total të sheshit të Shirokës parashikohen të përfundojnë në shkurt të vitit të ardhshëm.