Për të ka libra studimorë nga autorë europianë, amerikanë, australianë, veç recensioneve në gazeta, veç artikujve të shumtë studimorë në konferenca a seminare apo forume kombëtare dhe ndërkombëtare mbi letërsinë. Çmimet e dekorimet e larta shtetërore në vendet europiane, apo ato të natyrës thjesht letrare si Man Booker apo Princi i Asturias, Cino del Duka, Cavur, Herder etj janë po ashtu vlerësime të një niveli mirënjohës ndërkombëtar.
Është pikërisht Ismail Kadare ai që e bëri letërsinë shqiptare-pjesë të letërsisë botërore. Romanet e tij ngritën lart krenarinë e shqiptarëve, durimin në vuajtje të një populli të vogël, i kërcënuar disa herë nga shpërbërja në historinë e tij, një populli, të cilin ai e vlerëson si “popullin më rebel në botë….fryma e rebelimit ishte kaq e përhapur dhe e pandryshueshme si klima e vendit.”
Süddeutsche Zeitung e vlerëson Kadarenë si një “autor patriotik i vendosur, i cili me mjetet e letërsisë moderne kërkon të rimarrë dhe vazhdojë një mision të vjetër të epikës.
“Fakti që Kadare shkrin në një magjinë dhe realizimin, nuk ka të bëjë vetëm me brumosjen e tij artistike dhe talentin, por edhe me vendlindjen e tij, së cilës ai i kushtohet me një fuqi të admirueshme që prej 60 vjetësh. Nga magjia dhe realizmi kanë dalë vepra grandioze si Kronikë në gur, e botuar në 1971 në shqip”.
Me apo pa Çmimin Nobel, Ismail Kadare manifeston dhunti superiore letrare. Në këtë 83-vjetor si çdo vit ai e merr atdheun e tij atje ku ne për shumë arsye nuk shkojmë dot… ai na bën të pavdekshëm me penën e tij.
Një nga tiparet më të dukshme të stilit të Kadaresë, është zymtia e klimës. Në Shqipërinë e Kadaresë (Shqipëria reale ka mesatarisht 300 ditë të plota me diell në vit), pothuaj vazhdimisht bën mot i keq.
Në përbërje të stilit të Kadaresë hyn simbolika e malit, e malësorit tradicional shqiptar, simbolika e qytetit, më tej ndërfuten dhe disa nga mitet më thelbësore të njerëzimit.