Neymar ka bërë gjithçka që është e mundur për t’u kthyer në Barcelonë para se të mbyllej afati kalimtar veror në Evropë, sipas Luis Suarezit. Paris Saint-Germaini e mbajti anësorin brazilian, me gjithë spekulimet e vazhdueshme se ai do të largohej, vetëm dy vjet pasi i ishte bashkuar klubit nga Barcelona për një shumë rekord botëror 222 milionë euro.
Neymar ishte subjekt i një serie ofertash nga klubi katalonas, rivali i të cilit, Real Madridi, kishte shfaqur interesim po ashtu. Madje ka pasur thashetheme se Neymar i kishe ofruar deri në 20 milionë euro nga xhepi i vet për ta lehtësuar kthimin te kampioni spanjoll. Por edhe pse PSG-ja e solli në skuadër sulmuesin e Interit, Mauro Icardi, në formë huazimi për t’i shtuar opsionet në sulm, Neymar do të mbetet në klub të paktën deri në janar.
Suarez tani ka zbuluar se ai dhe bashkëlojtarët e kishin paralajmëruar Neymarin më 2017 të mos e merrte vendimin, për të cilin duhet se tani është penduar. “Kemi folur për këtë kohë pas kohe. Ne i patëm thënë atij se nuk do të gjente vend më të mirë se Barcelona. Por, ishte vendimi i tij dhe ai e zgjodhi atë rrugë”, tregoi Suarez.
“Tani, ai ka bërë gjithçka për t’u kthyer”, zbuloi ai.