Kryeministri Edi Rama ka theksuar sot, gjatë një interviste televizive se kushte për dialog nuk mund t’i vendos njëri.

Opozita e re ka deklaruar se do të kushtëzojë votat për miratimin e reformës zgjedhore me ndryshimin e sistemit elektoral, Rama theksoi se “kushte PS-së dhe mua nuk na vendos njeri, nëse nuk e kanë mësuar akoma dhe do të duan prova do ta mësojnë rrugës, ne jemi shumica e votuar për të udhëhequr, jo për t’u shkuar mbrapa atyre që nuk i kanë votat dhe duan të udhëheqin nga mbrapa. Jemi gati të ulemi dhe të hapur për ndryshimin e sistemit apo çdo gjë që kemi në dorë. Ama kush na vendos kushte humbet”, tha ai.

Rama deklaroi se “zgjedhjet do të bëhen në vitin 2021 përsa i takon PS-së, deri atëherë mund të ndodhin shumë gjëra, por për aq sa dimë sot, zgjedhjet do të bëhen në qershor të vitit 2021″.

Përsa i përket kërkesës së opozitës për largimin e Damian Gjiknurit si bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Rama tha se nuk është këtu problemi.

Nga ana e tij, Gjiknuri ka deklaruar se është gati që të largohet nga Komisioni nëse opozita do të rikthehet në komision.

“Nëse ai e ka thënë ka shprehur vullnetin e tij për t’i hapur rrugë një procesi ku mbase opozita do të kishte nevojë për këtë gjë dhe nuk është problem që të bëhet. Por mesa kuptoj unë nuk është se gjërat kanë mbetur aty” tha ai.