Nga Mero Baze

Në gjithë këtë histori të sforcuar për të prodhuar një krizë politikë, gjëja më e shëmtuar e krizës nuk është as akti prej kamikazi i opozitës, dhe as indiferenca e shumicës ndaj këtij akti. Gjëja më e shëmtuar e kësaj krize është fakti që ne bëjmë sikur kemi president, dhe biles dëgjojmë, as pa u skuqur dhe as pa u zverdhur, deklarata prej presidenti.

Sot i përsëriti për të distën herë.

Është një gjë shumë e shëmtuar që në një krizë të rëndë politike, të prodhuar me shumë sforco, shumë para dhe shumë interesa, mes të tjerash dhe joshqiptare, presidenti i vendit të bëjë sikur nuk është pjesë e krizës, por mbi palët në këtë krizë.

Thirrja e sotme e presidentit për të bërë “hapa pas”, pasi ka urdhruar njëherë “hapat para”, dhe akoma më keq, shpikja e tij se jemi para një krize kushtetuese, është në fakt fyerja më e madhe që i bëhet shoqërisë gjatë kësaj krize.

E vetmja krizë që po përjeton Shqipëria në këto momente, është kriza e opozitës, e cila në pamundësi për t’u reformuar dhe për të ndryshuar, po kthehet në kamikaze, me shpresë të vrasë, ose plagosë dhe kundërshtarët.

Ky akt është i dirigjuar nga dy njerëz, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Njëri përmes gruas e tjetri përmes dikujt, që e ka vënë të nusërojë në selinë e PD, kanë urdhëruar prodhimin e një krize artificiale politike, me axhendë të qartë, duke tentuar të godasin sistemin politik përmes nxjerrjes së opozitës jashtë këtij sistemi, me shpresë se ndalin humbjen e kontrollit mbi drejtësinë dhe pushtetin mbi të.

Unë nuk e di si përfundon kjo krizë për Edi Ramën dhe qeverinë, por di që mbaron kur nga skena të dalë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ata janë të parët në radhën e viktimave që kjo krizë mund të prodhojë. Të tjerët mund të plagosen kur të zhduken këta.

Ky akt i pashembullt dhe i pangjashëm në asnjë vend tjetër demokratik në botë, nuk ka prodhuar dot deri tani as krizë institucionale, as kushtetuese, dhe as sociale.

Krizë institucionale nuk ka, pasi nuk ka asnjë institucion që nuk funksionon, por mund të ketë institucione që nuk bëjnë si duhet detyrën, siç është ai i presidentit.

Krizë kushtetuese ka vetëm në rastet kur institucionet kushtetuese janë të paralizuara dhe nuk funksionojnë për shkak të politikës.

I vetmi rast para së cilës u gjendëm në një krizë kushtetuese, ishte akti i presidentit për të mos dekretuar ministrin e Brendshëm e më pas ministrin e Jashtëm, por dhe ajo krizë u tejkalua “me qetësi dhe dashuri” nga shumica, dhe nuk e akuzoi shkaktarin për shpërdorim detyre. Në fakt ajo krizë duhej zgjidhur me force, siç e kërkon Kushtetuta, por u zgjidh me metoda shqiptare.

Krizë tjetër kushtetuese nuk di të kemi.

I vemti pretendim është të kemi krizë sociale. Por e vërteta është se protestat e paguara të opozitës, po prodhojnë dhunë, por jo destabilizim në shoqëri, po injektojnë urrejtje, por nuk po prodhojnë dot përçarje në shoqëri, po prodhojnë huliganizëm, por jo anarki.

Shoqëria është e ndarë dhe e distancuar qartazi nga aktet e një pakice të dëshpëruar opozitare.

Biles dëshpërimi i presidentit dhe opozitës është pikërisht pse nuk po prodhojnë dot krizë sociale, krizë kushtetuese dhe krizë institucionale, dhe meqë nuk e prodhojnë dot, luajnë tango me njëri- tjetrin, njëri thotë “hap para” e tjetri “hap pas”.

Në fakt, këta i ngjajnë më shumë atyre aktorëve të dështuar, që bëjnë prova në shtëpinë e tyre me gruan para se të dalin në skenë, dhe pastaj aty bëhen qesharakë.

Presidenti nuk ka kujt t’i bëjë thirrje përveç gruas së tij, nëse vërtet do ishte nevoja. Por në këtë rast nuk është as nevoja. Gruaja po bën çfarë i thotë presidenti, ashtu si ajo nusja tjetër në PD, po bën çfarë i thotë “vjehrri” i shtëpisë.

Dhe nëse e kanë seriozisht atë kërkesën që si opozitë po dorëzojnë pushtetin, s’kanë pse ua marrin mandatin ca kukullave në Kuvend, për të marrë ca kukulla të tjera që presin në radhë.

Pushtet është posti i presidentit. Le ta lëshojnë atë! E di që nuk zgjidh ndonjë gjë të madhe, por së paku na e kursejnë këtë talljen, sikur kemi president që bën thirrje për paqe.