Reagimet e shumta që erdhën pas lajmit se Presidenti nuk dekretoi ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri, ka ardhur edhe një sqarim i fundit nga institucioni që drejtohet nga Ilir Meta.

Përmes këshilltarit, Tedi Blushi, Presidenti Meta njofton se ka ndjekur reagimet për këtë çështje dhe ndjehet i keqardhur.

Meta fton palët e interesuara që ta lexojnë me objektivitet dekretin.

REAGIMI I PRESIDENCËS:

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi:

28 korrik 2018

Presidenti i Republikës, duke ndjekur reagimet politike pas publikimit të dekretit për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shpreh keqardhjen për reagimet sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara.

Presidenti i Republikës i fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentet dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat e marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.

Dekreti i Presidentit të Republikës i mbështet argumentet vetëm mbi dokumentacionin zyrtar bashkëshoqërues të ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës është i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial.

Me këtë rast Presidenti i Republikës fton të gjithë të interesuarit për zgjidhje të lexojnë me vëmendje në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës dekretin. /G.Gj/Lexo.al/