Drama “Kreolët e Ballkanit” shkruar dhe vënë në skenë nga Enver Petrovci me aktorët Elidon Alika, Vanesa Petrovci, Agron Shala, Kristian Koroveshi dhe Kriks Dumo vjen për tre mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
”Mos i humb tri shfaqjet e fundit 21-22-23 ora 19:00 në sallën Goethe. Një histori emocionuese, një shfaqje plot dramë, aksion, tradhti dhe dashuri”, shkruan teatri për këtë shfaqje.
Kjo dramë është e shkruar nga autori dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj. Autori dhe regjisori Enver Petrovci ka bërë pjesë të këtij teksti çdo emocion njerëzor si dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, për një atdhe më të dashur i cili ka nevojë të ul në prehrin e tij: dashurinë, fitoren dhe lumturinë.
Për autorin e dramës Enver Petrovci në këtë botë disa luftojnë për tokën dhe të tjerë për shpirtin.
Vepra pas skenës së Tiranës mendohet që do të vijojë më pas dhe në skenat e teatrit në Kosovë. Me një jetë artistike në skenat e Kosovës, Shqipërisë dhe më gjerë si regjisor dhe aktor Enver Petrovci është nga emrat e artit më të vlerësuar. Jo vetëm me teatrin, por dhe me kinemanë ka dhënë një kontribut të madh. Me role nuk ka munguar në filmat në Kosovë dhe në Shqipëri, që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur.
Gjatë këtij muaji në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të vijojnë dhe të tjera shfaqje jo vetëm për të rritur, por nuk mungojnë dhe ato për fëmijët.