Nga Elda Shabani

Pulovra e krishtlindjeve, prej tre dekadash është një nga blerjet më popullore të muajit dhjetor. Por në këtë sezon, së bashku me pulovrën dhe tartanin skocez, kemi vënë re se shumë figura nga Bota e Showbizz-it kanë preferuar gjithashtu jelekun triko, trend më i ëmbël për festat.


Një jelek triko është një mënyrë e shpejtë dhe e lirë në cdo kohë e moment. Pavarësisht nga rasti, ato ofrojnë një ndjesi rehatie. Disa mund të mendojnë se është e pamundur të dukesh në modë dhe në stil, veshur me një jelek triko. Eshtë thjesht çështje fantazie. Mjafton të sjellim në vëmendje figurat më të njohura të Hollywood-it si psh. aktorin më tërheqës, Johnny Depp ose legjendari David Bowie apo Harry Style, i cili ky i fundit në muajin që lamë pas, mbante të veshur një jelek me dele të bardha, një veshje ikonike të Princeshës Diana. Tek asnjëri prej tyre nuk e shohim këtë pjesë të veshjes në formën klasike të saj, por në një stil modern, të sofistikuar dhe joformal.
Por cila është historia e trendit më të ëmbël festiv të këtij sezoni?

Forma e tij e parë në veshje u njoh në Amerikën e Veriut nga ku mori edhe emrin. Fillimisht kishte funksion utilitar; për të mbajtur ngrohtë, me prerje të thjeshtë dhe kryesisht konsiderohej një veshje për meshkuj në një moshë të madhe dhe shëndetlig, të sëmurë me reumatizëm etj.


Gjatë shek 18-të jeleku në Britani dhe në Francë ishte pjesa më dekorative e veshjes për meshkuj, nga ku mori formën e njohur të cilën e njohim edhe sot. Jeleku u bë një e veshje për aristokracinë lartë dhe pjesë e kostumit prej tre pjesësh; xhaketa e gjatë, e ngushtë, pantallona të gjata deri në gjunj, ndërsa jeleku i qëndisur me fije ari si dhe gurë të çmuar shumë ngjyrësh, në stilin roco baroco, por edhe me ndikim bizantin. Sjellim në vëmendje portretin e mbretit George III, veshur me kostumin e tij të mëndafshtë.

Në epokën e Brummel-it, një Dandy, Rebel dhe Artist i lindur, i cili krijoi për herë të parë modën për meshkuj, jeleku ishte pjesë e rëndësishme e kostumit. Për t’u ndjerë ngrohtë dhe rehat, gradualisht për pjesën e brëndshme të kostumit, u përdor një tekstil më i ngrohtë, i leshtë, një jelek i trikotuar. Kështu i veshur edhe pa xhaketë, mbi një këmishë shpesh herë me ose pa kravatë, mori një stil casual dhe joformal. Ky stil u pëlqye shumë gjatë viteve 1930. Ndërsa në epokën moderne gjatë viteve ’80 jeleku triko kombinuar me bluxhins dhe T-shirt, si për meshkuj dhe për femra, u kthye në një stil casual dhe streetstyle. Vitet ’90 shënjuan një boom për trikot festive të Krishtlindjeve, veshur nga ikonat e Hollywood-it.


E ndërsa e ardhmja e veshjes udhëton së bashku me njeriun, ajo cfarë i ka rezistuar kohës, është një veshje e rehatshme dhe autentike, siç edhe shprehet pionieri i altamodës për meshkuj, Hardy Amies: “Veshja sot në kohët ku jetojmë është liri dhe rehati.”