Në fjalën e tij në prezantimin e paketës speciale KÇK, Kryeministri Rama iu adresua edhe studentëve, teksa u ndal tek prioritetet e reja të qeverisë së tij.
“Domosdoshmëria jonë është pasja e një produkti final dhe konkret, transformimi i infrastrukturës së universiteteve. Ashtu si stadiumi, më i bukuri në rajon, do të kemi edhe kampusin më modern e më të bukur në të gjithë Ballkanin”, tha Kryeministri.
E gjithashtu, do të investohet për të modernizuar universitetet tona, duke nisur nga projekti madhor për Akademinë e Arteve.
Midis përparësive të tjera të këtij mandati është edhe ajo e legalizimeve.
Janë pothuajse 160 mijë legalizime të realizuara në këto gjashtë vite, krahasuar me vetëm 27 mijë të realizuara në tetë vitet e qeverisë së mëparshme.
Qëllimi është që deri në fund të mandatit të ketë përfunduar plotësisht ky proces. Të gjitha shtëpitë e banimit, me përjashtim të atyre që ndodhen buzë akseve rrugore do të legalizohen.
Kjo do të thotë legalizim 100% të shtëpive në zonat rurale dhe legalizim i të gjithë banesave të tjera urbane, përsa kohë ato nuk zënë nyje strategjike.
Megjithatë, edhe për këtë kategori, do të ndodhë një ndryshim, duke lejuar regjistrimin e plotë të banesave.
Rama u ndal edhe tek Shengeni Rajonal, të cilën e quajti një ide të shkëlqyer për të gjithë rajonin, por edhe një ide të shkëlqyer sepse është në gjendje të çojë më tej përpara unifikimin e tregut shqiptar me atë kosovar.
“Nga më patrioti dhe nacionalisti i mundshëm, tek ai më pak, Shengeni Rajonal mbetet një ide e shkëlqyer për të gjithë”, theksoi Rama.