Falë angazhimit të Bashkisë së Librazhdit dhe mbështetjes së donatorëve, familja Buzani në fshatin Çerçan të Librazhdit më në fund gëzon një shtëpi të re.

Xhevat Buzani së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij jetonin në kushte të mjerueshme në një barakë. Angazhimi i Bashkisë së Librazhdit për të ndihmuar këtë familje në nevojë ekstreme, bëri që Viti i Ri familjen Buzani ta gjejë në shtëpinë e re me kushte normale jetese.

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë Kastriot Gurra uruan familjen Buzani për shtëpinë e re ndërsa nuk munguan dhuratat për fëmijët.

“Jemi shumë të lumtur që familja Buzani më në fund gëzon një shtëpi të re, falë punës së bashkisë me donatorët dhe mbështetjes së tyre.

Kjo ishte një familje me kushtet më të vështira në Njësinë Administrative Hotolisht.

Ne do ta vazhdojmë këtë projekt. Kryetari i Bashkisë do të identifikojë familjet që jetojnë në kushte të tilla në çdo zonë, në mënyrë që të ndërhyjmë” tha Balla.

Për Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Z. Gurra e rëndësishme është që njëri nga prindërit e fëmijëve të punojë pasi vetëm në këtë mënyrë familja mund të ketë të ardhme:

“Të paktën njëri nga të zotët e shtëpisë duhet të ketë mundësinë e punësimit. Shumë banorë të këtyre zonave janë punësuar në fabrikat që janë të Librazhd apo në Labinot. Janë një mundësi shumë e mirë për të punuar.”

Familja Buzani jetonte në barakë prej më shumë se 15 vitesh. Mungesa e të ardhurave kishte bërë që kjo famiulje të mos kishte asnjë mundësi për një jetë më të mirë, qoftë edhe vetëm për fëmijët.

Por tashmë familja Buzani gëzon një shtëpi të re dhe mundësi punësimi për kryefamiljarët. (Lexo.al)