Në fjalën e tij në prezantimin e paketës speciale “KÇK”, kryeministri Rama adresoi edhe një prej temave më të sulmuara prej opozitës, atë të partneriteteve publik-privat.

Rruga e Arbrit, sipas Kryeministrit është një prej shembujve më të suksesshëm të PPP.

“Nëse do të duhet të prisnim të mblidhnim lekët në buxhet për Rrugën e Arbrit, do të nevojiteshin të paktën edhe 13 vite më shumë për ta ndërtuar. Një tjetër gjeneratë dibranësh do të duhet të prisnin pa rrugë”, theksoi Rama.

Rruga e Arbrit, e cila është premtuar që në fillim të viteve 2000, është duke u bërë aktualisht realitet falë një PPP, që realizon ndërtimin e rrugës brenda 3 vitesh, pa kosto të shtuara për taksapaguesit.

Rasti i stadiumit është një tjetër rast i suksesshëm sipas Kryeministrit. “Asnjë qindarkë nga ana e buxhetit, por sot kemi një prej stadiumeve më modernë në Europë”, tha Rama.

Gjithashtu, kreu i qeverisë ndaloi tek PPP në sektorin e shëndetësisë.

I pari, ai i sterilizimit, falë të cilit numri i infeksioneve post-operatore është reduktuar në pothuajse zero. “Kjo i kursen shtetit shumë më tepër para, sepse ata që kurohen në spitale tani nuk shtrohen përsëri së dyti për të trajtuar infeksionin”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërsa PPP i check-up, mundëson mbi gjysmë milionë qytetarë që çdo vit të realizojnë kontrolle periodike mjekësore, nga të cilat shumë sëmundje të kushtueshme trajtohen në fazat e tyre fillestare, duke kursyer shumë para për buxhetin e shtetit dhe buxhetin e familjeve, por mbi të gjitha duke kursyer shumë më tepër jetë njerëzish.