Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë në ambientet e magazinës së çerdhes nr.14 në lagjen “Ali Demi” në Tiranë ka qenë një akt i qëllimshëm.
Kjo është pista kryesore mbi të cilat po hetohet nga Komisariati nr.1 dhe Prokuroria e Tiranës. Sipas bluve të Tiranës ky akt mund të ketë si shkak konfliktet e pronësisë.
Ngjarja ndodhi më 16 gusht në pjesën e pasme të çerdhes në një dhomë që përdorej si magazinë.
Ekspertët zjarrfikës kanë arritur në përfundimin se bombola nuk ka qenë në përdorim në momentin kur ka ndodhur shpërthimi në orën 04:57 të mëngjesit pasi në atë kohë në çerdhe nuk ka pasur njeri.
Kjo ka ngritur dyshime për një ndërhyrje të qëllimshme nga persona ende të paidentifikuar që kanë pasur si motiv mosmarrëveshjet lidhur me pronësinë e godinës.
Në këtë pistë hetuesit e Komisariatit nr.1 janë duke hetuar disa persona të dyshuar për të cilët ka dyshime se mund të jenë implikuar në shpërthimin e qëllimshëm duke dëmtuar tubat e gazit.
Grupi i hetimit po analizon me detaje kamerat e sigurisë të marra nga bizneset e zonës për të evidentuar ndonjë lëvizje në magazinë në kohën kur ndodhi shpërthimi.